Në Komunën e Deçanit u mbajt mbledhja e parë për këtë vit e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), e kryesuar nga kryetari i komunës, z. Bashkim Ramosaj.
Në këtë takim morën pjesë drejtori i Shërbimeve Publike, z. Izet Zenuni, koordinatorja e KKSB-së, znj. Gentiana Iberhysaj – Mazrekaj, përfaqësues të Policisë, përfaqësues të FSK-së, si dhe anëtarët e tjerë të këtij këshilli.
Kryetari Ramosaj theksoi se gjendja e sigurisë në Komunën e Deçanit është e qetë dhe stabile. Ai nënvizoi se në këtë periudhë fokusi është në organizimin e aktiviteteve për shënimin e 24 Marsit, si dhe në garën e skijatorëve që do të mbahet më 15 mars, një aktivitet me rëndësi të veçantë për qytetin tonë.
Drejtori i Shërbimeve Publike, z. Izet Zenuni falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe u ndal në dy çështje të rëndësishme vendosjen dhe mirëmbajtjen e shenjave të komunikacionit, si dhe funksionalizimin e sistemit të kamerave të sigurisë në qytet.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, z. Adem Çeku, theksoi se gjendja e sigurisë në komunë mbetet e qetë. Ai bëri të ditur se gjatë periudhës së fundit janë regjistruar 57 raste, kryesisht të natyrës së komunikacionit, por edhe disa raste të dhunës në familje dhe vjedhjeve. Po ashtu, ai theksoi se janë shtuar masat e sigurisë në shkolla dhe në komunikacion.
Në përgjithësi, gjatë takimit u vlerësua se gjendja e sigurisë në Komunën e Deçanit mbetet e mirë dhe stabile.