Kryetari i Komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati, ka pritur në takim Komandantin e Komandës Rajonale-Perëndim të misionit të KFOR-it, Kolonel Frederico Mora. Takimi ishte informues, pasi Kolonel Mora mori detyrën.
Me këtë rast, Kryetari Kastrati i uroi mirëseardhje Kolonelit dhe falënderoi KFOR-in për kontributin e tij, në veçanti kontingjentin italian të KFOR-it për mbështetjen e vazhdueshme. Njëkohësisht, ai e uroi Kolonel Morën për detyrën e re.
Gjatë takimit, Kryetari Kastrati e informoi Komandant Morën për zhvillimet e përgjithshme në Komunën e Malishevës, përpjekjet institucionale për zhvillimin dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, si dhe situatën e sigurisë në komunë, e cila u vlerësua si e qetë dhe stabile, pa tendencë përkeqësimi.
Nga ana e tij, Kolonel Frederico Mora falënderoi Kryetarin Kastrati për pritjen dhe vlerësoi bashkëpunimin e mirë midis Komunës së Malishevës dhe KFOR-it. Ai shprehu gatishmërinë e tij për të vazhduar këtë bashkëpunim në të ardhmen, duke theksuar mbështetjen e KFOR-it për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij.