Parlamenti Evropian ka miratuar një strategji për zgjerimin e Bashkimit Evropian, duke theksuar se ky proces është përgjigje strategjike ndaj realiteteve gjeopolitike dhe një investim në sigurinë dhe stabilitetin e bllokut. Sipas dokumentit të miratuar më 11 mars, kostoja e moszgjerimit do të tejkalonte koston e anëtarësimit të vendeve të reja dhe rrezikonte krijimin e “zonave gri” të ndjeshme ndaj ndikimit të huaj. Për strategjinë votuan 385 deputetë, 147 ishin kundër dhe 98 abstenuan. Eurodeputeti Petras Austrevicius, autor i dokumentit, tha se modeli i integrimit duhet të përmirësohet për të pasqyruar interesat e BE-së dhe pritjet e vendeve kandidate. Ai theksoi se zgjerimi duhet të shkojë krah për krah me reformat e brendshme për të mbrojtur funksionimin e BE-së dhe përmirësuar proceset e vendimmarrjes, duke përfshirë votimin me shumicë të kualifikuar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
