Me vendim të Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati u formua Task forca komunale, të cilën do ta udhëheqë Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi.
Ai sot, ka zhvilluar një takim pune me Task forcën komunale për mbrojtjen e mjedisit, ku morën pjesë kryetarët e Këshillave të Bashkësive Lokale për komunën e Malishevës.
Në këtë takim u diskutua për rëndësinë e rritjes së vetëdijes qytetare dhe forcimin e bashkëpunimit institucional në mbrojtjen e mjedisit.
Qëllimi i këtij takimi ishte koordinimi i aktiviteteve konkrete për sensibilizimin e qytetarëve lidhur me ruajtjen e ambientit, menaxhimin e mbeturinave dhe mbrojtjen e hapësirave publike.
Në këtë task forcë janë të përfshira të gjitha institucionet përgjegjëse në nivel lokal, të cilat do të bashkërendojnë veprimet dhe do të angazhohen në zbatimin e masave për përmirësimin e gjendjes mjedisore në territorin e komunës.
Me këtë rast, nënkryetari Krasniqi theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët institucional dhe qytetar, duke vlerësuar se vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë mund të arrihen rezultate konkrete në mbrojtjen e mjedisit.
Ai gjithashtu bëri thirrje për rritjen e përgjegjësisë individuale dhe kolektive, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit është detyrë e përbashkët e të gjithëve.
Njëherit nga Komuna e Malishevës, muaji prill do të shpallët, muaji i ambientit të pastër, ku sipas planit do të angazhohen qindar qytetarë, si dhe organizata e institucione komunale dhe kompani me të vetmin qëllim për të krijuar ambient të pastër në tërë territorin e komunës së Malishevës.