Me rastin e ditës Botërore të Sindromës Down, komuna e Vitisë ka organizuar një aktivitet simbolik me fëmijët e shkollës fillore ”Bafti Haxhiu” në Viti.
Ky aktivitet është realizuar në bashkëpunim në mes të QKMF-së, DKA, menaxhmentit dhe mësuesve të kësaj shkolle.
Drejtoresha e QKMF-së në Viti dr.Vjollca Kadolli Halili dhe drejtoresha e DKA- së znj. Arta Ajeti kanë diskutuar me mësimdhënësit Besnik Zuka dhe asistentin Shkembim Ukshini mbi sfidat me të cilat përballen mësimdhënësit dhe fëmijët.
Gjithashtu, theks i veçantë iu dha nevojave dhe kërkesave të tyre, ku institucionet komunale janë të përkushtuara që të përkrahin këtë klasë. “Le të jemi ne arsyeja që ata të ndihen të pranuar, të vlerësuar dhe të barabartë”, ishte mesazhi i përbashkët.
Përndryshe në dhjetor 2011, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës se Kombeve të Bashkuara (OKB) ka shpallur 21 Marsin si Ditën Botërore të Sindromës Down.