Kryetari Bashkim Ramosaj, mirëpriti studentët e nivelit Master nga Universiteti Teknik i Vjenës

Sot, Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, pati kënaqësinë të mirëpresë në Deçan studentët e nivelit Master nga Universiteti Teknik i Vjenës, të shoqëruar nga Dekani, Thomas Dillinger, së bashku me profesorë të këtij universiteti.

Në këtë vizitë morën pjesë edhe studentë nga UBT, të shoqëruar nga Binak Beqaj, të cilët kanë nisur një projekt të përbashkët studimor për hartimin e një plani zhvillimor për pjesën e Parkut Nacional Bjeshkët e Nemuna që shtrihet në territorin e komunës sonë.

Ky bashkëpunim akademik përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të sjellë ide inovative dhe qasje bashkëkohore në planifikimin, menaxhimin dhe zhvillimin e kësaj zone me vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe turistike. Përmes këtij projekti synohet që të ndërthuren njohuritë akademike me potencialin lokal, duke kontribuar në zhvillim të qëndrueshëm dhe në promovimin e mëtejmë të Deçanit si destinacion i rëndësishëm turistik.

Gjatë qëndrimit të tyre dyditor në Deçan, studentët dhe profesorët do të zhvillojnë vizita në terren, analiza studimore dhe aktivitete të ndryshme kërkimore, të cilat do të shërbejnë si bazë për hartimin e këtij projekti zhvillimor.

Kryetari Ramosaj i falënderoi përzemërsisht për angazhimin dhe bashkëpunimin, duke vlerësuar lartë kontributin e tyre në këtë iniciativë të rëndësishme, si dhe ju uroi punë të mbarë dhe qëndrim sa më të suksesshëm në komunën e Deçanit.

Kontrolloni gjithashtu

U Shënua Përvjetori i 27-të i Masakrës në Celinë të Rahovecit

Në tubimim përkujtimor i pranishëm ka qenë edhe kryetari i Komunës, Smajl Latifi me bashkëpunëtorë, …