Në një ceremoni të veçantë dhe plot emocion, të organizuar nga Zyra për Barazi Gjinore në Komunën e Malishevës, nën drejtimin e Vera Bytyçit, u vlerësuan gratë malishevase për rolin dhe kontributin e tyre të çmuar në jetën shoqërore, kulturore, arsimore dhe institucionale.
Ky aktivitet u mbajt në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për përkushtimin e palodhur të grave, për sakrificat dhe sukseset e arritura ndër vite, si dhe për ndikimin e tyre të fuqishëm në ndërtimin dhe zhvillimin e shoqërisë.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me shefen e kabinetit, Blerta Krasniqi, dhe drejtorë të drejtorive komunale. Në fjalën e tij, kryetari Kastrati theksoi rëndësinë e fuqizimit të gruas dhe mbështetjes së saj të vazhdueshme në çdo fushë të jetës.
“Gratë e Malishevës kanë qenë dhe mbeten shtyllë e fortë e shoqërisë sonë. Kontributi i tyre në arsim, kulturë, shëndetësi, administratë dhe në jetën publike është i jashtëzakonshëm dhe meriton respektin dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme,” u shpreh ai.
Gjatë ceremonisë u ndanë mirënjohje për disa gra dhe familje që kanë lënë gjurmë në fusha të ndryshme:
– Me mirënjohje u nderua Familja e Dëshmorit Habib Berisha.
– Nga fusha e arsimit u vlerësua Hysnie Mazreku.
– Nga fusha e shëndetësisë u nderua Sadbere Hoxha.
– Nga fusha e biznesit u vlerësua Zemrije Bytyqi-Mazreku.
– Nga fusha e sportit u nderua Melisa Berisha.
Ky aktivitet nuk ishte vetëm një ceremoni ndarjeje mirënjohjesh, por një mesazh i fuqishëm se puna, përkushtimi dhe suksesi i grave malishevase janë frymëzim për gjeneratat e reja dhe garanci për një të ardhme më të barabartë e më të zhvilluar për të gjithë.