Sot është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, e kryesuar nga kryesuesi Xhavit Zariqi. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe Kryetari i Komunës, Agim Aliu, Nënkryetari i Komunës Lulzim Aliu, si dhe drejtorët e drejtorive komunale.
Gjatë mbledhjes, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, prezantoi para anëtarëve të kuvendit raportin e punës njëvjeçare të ekzekutivit. Ai theksoi se viti 2025 – ndonëse ishte sfidues jo vetëm për komunën, por edhe për gjithë Republikën – u shënua me suksese të shumta, me arritje që bënë Ferizajn të ecë një hap para në synimet e përbashkëta për një qytet funksional, të zhvilluar dhe të mirëqenë. Ky raport pune është produkt i një përpjekjeje që nuk njeh pushim dhe nuk njeh ndalim, por që qëndron gjithnjë gati, në krye të detyrës, 365 ditë të vitit, për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të realizuar objektivat qeverisëse dhe planifikimet programore.
“E kemi dëshmuar me vepra e jo fjalë, se kemi vizionin që Ferizajt i jep kahje të reja zhvillimi. E kemi dëshmuar se ëndrra për një qytet funksional, të zhvilluar, nuk është thjesht një ëndërr, dëshirë a fjalë, por vepër e prekshme çdo ditë nga qytetarët. Janë veprat për të cilat sot flasim, ato që i shërbejnë qytetarëve, ato që do t’i rezistojnë dekadave, si një dëshmi e përkushtimit dhe vizionit për të ardhmen e këtij qyteti. Në planin e infrastrukturës rrugore e shërbimeve publike, viti 2025 ishte nga më të begatët në gjithë harkun kohor të qeverisjes sonë, gati një dekadëshe. Përuruam nënkalimin më të madh në historinë e Kosovës – kryeveprën infrastrukturore – Nënkalimin tek Stacioni Policor në Ferizaj, një vepër infrastrukturore që flet zëshëm për guximin, vizionin, qasjen transformuese që kemi për qytetin që duam. Po kështu, Ferizajt iu shtua edhe nga më modernët në gjithë rajonin – Stacioni i Ri i Autobusëve, investim ky që i jep dinamikë të re zhvillimi fushës së transportit dhe ekonomisë lokale, veçanërisht duke i shtuar kësaj edhe transportin publik urban që për herë të parë e bëmë realitet për ferizajasit, vitin që shkoi.
Në kuadër të investimeve madhore që ndodhën në Ferizajn e vitit 2025, u inaugurua edhe Nënstacioni i Ri i Energjisë Elektrike, projekt i nisur më 2018 – bashkëfinancim prej 7 milionë eurosh, që është garanci e sigurisë energjetike dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëfurnizimin e ekonomive familjare dhe bizneseve me energji elektrike. Gjithashtu, gjatë vitit 2025 vazhduam me punë që transformuan rrugë e zona të shumta në qytet dhe fshatra, si rikonstruktimi me të gjithë infrastrukturën përcjellëse i rrugëve “Brigada 161”, “Besim Rexhepi”, “Bedri Asllani” dhe “Tahir Sinani”, rregullimi i kryqëzimit në rrugët “Driton Islami” dhe “Cen Dugolli”. Nisën punimet edhe në arterie të rëndësishme rrugore që lidhin Ferizajn me zonat rurale, si rikonstruktimi i rrugës Ferizaj–Pleshinë në bashkëpunim me Ministrinë, përfundimi i rrugës Pleshinë–Kashtanjevë, si dhe rikonstruktimi tërësor dhe zgjerimi i rrugës mbi 10 kilometra, bashkë me infrastrukturën përcjellëse, në fshatrat Babush i Ri, Prelez, Surqinë, Mirash dhe Cërnillë, investim ky i realizuar po ashtu në bashkëpunim me Ministrinë. Pa lënë anash edhe investimet në infrastrukturën rrugore të dhjetëra fshatrave të Ferizajt. Në pikëpamje të financave, u realizuan të hyra vetanake në vlerë prej 10,484,565.77 eurosh, ndërsa të hyrat e planifikuara për vitin 2025 ishin 7,974,306.00 euro, çka dëshmon se plani u tejkalua për 2,510,259.77 euro, apo 31.48% më shumë se planifikimi.
Kryetari Aliu tha se kujdes i veçantë i është kushtuar edhe mbështetjes për gratë në biznes, përmes akordimit të fondit të dedikuar për bizneset e udhëhequra nga gratë.
“E veçantë si në asnjë nga komunat tjera, mbetet mbështetja jonë për gratë në biznes, përmes akordimit të fondit të dedikuar për bizneset e udhëhequra nga gratë, ku dhjetëra biznese të tilla u mbështetën gjatë vitit 2025, pa lënë anash edhe investimet tjera të rëndësishme në fushën e turizmit si atraksioni turistik “Via Ferrata” dhe ura tibetiane në vargmalet e jashtëzakonshme të Jezercit, panaire e mundësi të shtuara për punësim e angazhim të punonjësve në sektorin privat, bashkëpunim me bizneset e shumta ferizajase si dhe nga diaspora e nisma të tjera në dobi të ekonomisë lokale”, tha Aliu.
Në elaborimin e tij, kryetari u ndal në veçanti edhe në investimet në të gjelbërtën, duke përmendur këtu edhe hartimin e Planit të ri Zhvillimor Komunal – Kushtetutës së re Urbane.
“2025-ta për të gjelbërtën në Ferizaj mbetet një vit i shënuar me përplot aktivitete, projekte e nisma që i japin frymë të re qytetit dhe ambiente të reja për qytetarët. Në këtë kuadër, në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, nisëm punën për hartimin e Planit të ri Zhvillimor Komunal – Kushtetutës së re Urbane, investuam në masa të reja të gjelbërta, duke shtuar me dhjetëra hektarë hapësira të reja të gjelbërta për qytetarët, si përmes projektit të zgjerimit të Parkut të Lirisë, që është kthyer në një nga zonat natyrore më të vizituara në gjithë rajonin tonë, po ashtu edhe investimet në ndërtimin e Parkut në Kodrën e Sherretëve, rikonstruktimi dhe rivitalizimi i hapësirave të parkut në Grykën e Nerodimes, vazhdimi i punimeve në ndërtimin e dy parqeve të reja në qytet – parku tek ish-lokacioni i Kompanisë “Pastërtia” dhe parku tek ish-lokacioni i Stacionit të Autobusëve, pa lënë anash edhe investimet tjera për të gjelbërtën, si rregullimi i hapësirave të reja në kurrizin e nënkalimit tek sheshi “Ramadan Rexhepi”, parku në rrugën “Sali Çeku”, parqet e reja në Slivovë dhe Greme, hapësirat e rigjeneruara përgjatë rrugës “Gursel dhe Bajram Sylejmani”, si dhe nisja e punimeve për parkun në Varosh e investime të tjera të rëndësishme për të gjelbërtën”, tha Aliu.
Kryetari Aliu u ndal edhe te sektori i shëndetësisë, duke përmendur investimet e bëra në këtë fushë, si dhe në sektorin e arsimit, bujqësisë, sportit dhe kulturës.
Pas prezantimit të raportit, opozita paraqiti kritikat e saj, ndërsa pozita vlerësoi pozitivisht punën njëvjeçare të ekzekutivit. Në pyetjet dhe vërejtjet e anëtarëve të kuvendit u përgjigjën drejtorët përkatës dhe vetë kryetari Aliu.
Mbledhja vijoi me shqyrtimin e pikave të tjera të rendit të ditës. U diskutua dhe u miratua raporti për procesin e zgjedhjes së kryetarëve të këshillave lokalë në fshatra dhe zona urbane të Ferizajt.
Gjithashtu, u propozua dhe u miratua plotësim-ndryshimi i vendimit nr. 10, i datës 30.12.2025, i cili ishte plotësuar dhe ndryshuar më parë me vendimin nr. 26 të datës 27.02.2026. U mor edhe vendim për kompensimin e kryetarëve dhe anëtarëve të këshillave lokalë.
Në këtë mbledhje, drejtorja e Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, Festina Sadiku-Hyseni, propozoi shpalljen e disa zonave kadastrale në interes të përgjithshëm, për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të tyre, propozim që u miratua nga kuvendi.
Po ashtu, u bë edhe plotësim-ndryshimi i publikimit të listës së pronave komunale për dhënie në shfrytëzim për vitin 2026.
Në fund, anëtarët e Kuvendit miratuan me shumicë votash edhe propozimin e drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, Alberton Sahiti, për miratimin e Rregullores për ushtrimin e veprimtarisë së transportit urban të udhëtarëve me taksi.