Ka nisur aksioni njëmujor për pastrimin e ambientit në Komunën e Malishevës, me moton “Për Malishevën e pastër”.
Aksioni u hap në mënyrë simbolike nga kryetari i komunës, Ekrem Kastrati, i cili theksoi se, përveç ngritjes së vetëdijes për ruajtjen e ambientit, muaji prill është shpallur edhe muaj i pastrimit të ambientit.
Sipas tij, synimi është që Malisheva të shndërrohet në komunën më të pastër në vend. Për këtë qëllim është formuar edhe një task-forcë e posaçme, e cila drejtohet nga nënkryetari i komunës, Vesel Krasniqi.
Aksionit të sotëm, të udhëhequr nga kryetari Kastrati, iu bashkuan edhe drejtorë të drejtorive komunale, zyrtarë komunalë, përfaqësues të institucioneve lokale, përfshirë shkollat, Bashkësinë Islame dhe institucione të tjera, ndërsa mbështetje ofroi edhe njësia e “Eko-Regjionit” në Malishevë.
Në kuadër të këtij aksioni, sot ka nisur edhe largimi i një deponie ilegale të mbeturinave inerte në rrugën Banjë-Senik, ndërsa në atë lokacion është vendosur edhe tabela që ndalon hedhjen e mbeturinave.
Me këtë rast janë falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë aksion, përfshirë edhe bizneset që në mënyrë vullnetare kanë ofruar mbështetjen e tyre me makineri për largimin e mbeturinave inerte, siç ishte rasti sot në fshatin Banjë.