Në Rezallë të Skenderajt u mbajt tubim përkujtimor kushtuar Masakrës së Rezallës, të rënëve dhe martirëve të këtij fshati.
Homazhe kushtuar të rënëve kanë bërë edhe udhëheqësit e Komunës së Skenderajt të prirë nga kryetari Sami Lushtaku, nënkryetari Fadil Nura, Kryesuesja e Kuvendit, Adelina Spahiu – Alija, familjarë të dëshmorëve dhe martirëve, komandantë të luftës, deputetë, asambleistë, zyrtarë komunalë si dhe qytetarë të shumtë.
U përkujtuan me dhimbje të thellë dhe respekt të pashuar sakrifica e të rënëve në masakrën e Rezallës, ku 98 civilë të pafajshëm u vranë mizorisht nga forcat serbe.
Më 5 prill 1999, në Rezallë u shuan padrejtësisht 98 jetë të pafajshme, një tragjedi që nuk do të harrohet kurrë. Kjo ditë mbetet një nga plagët më të rënda të historisë sonë, një dëshmi e dhunës dhe barbarisë së ushtruar ndaj popullit tonë.
Rezalla nuk është vetëm kujtim dhe dhimbje, është edhe thirrje për drejtësi. Është amanet që e vërteta të mos harrohet dhe që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Kritika nga Sami Lushtaku: Institucionet po i kujtojnë viktimat e Masakrës së Rezallës vetëm në kohë fushatash
Në 27-vjetorin e Masakra e Rezallës, homazhe për viktimat janë bërë edhe nga kryetari i Komunës së Skenderaj, Sami Lushtaku, i cili ka adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj institucioneve të Kosovës për mungesën e përkujdesjes dhe prezencës së tyre. Lushtaku theksoi se kjo ngjarje mbetet ndër më të rëndat për popullin shqiptar, duke rikujtuar se më 5 prill 1999, forcat serbe ekzekutuan 98 civilë shqiptarë në fshatin Rezallë dhe zonat përreth, ndërsa një pjesë e trupave u zhdukën dhe më vonë u gjetën në Rudnicë. Ai shprehu shqetësim për mungesën e përfaqësuesve institucionalë në përvjetor, duke theksuar se këto vende nuk duhet të vizitohen vetëm për interesa politike apo gjatë fushatave zgjedhore. “Ne nuk duhet me ardhë këtu vetëm kur kemi nevojë me lyp votë… këtu duhet me ardhë edhe për me kërkuar forcë dhe për me kuptu çka ka ndodhë,” u shpreh Lushtaku, duke shtuar se mungesa e reflektimit institucional është shqetësuese. Sipas tij, institucionet dhe partitë politike duhet të tregojnë më shumë përkushtim ndaj familjarëve të viktimave dhe kujtesës historike, duke rikujtuar se lufta është bërë pikërisht për ndërtimin e shtetit dhe institucioneve. Masakra e Rezallës konsiderohet një nga krimet më të rënda gjatë luftës në Kosovë, ku vetëm tre persona arritën të mbijetojnë nga ekzekutimet masive të civilëve.
Lavdi e përjetshme martirëve të Rezallës! Kujtimi i tyre do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona.