Opinionisti Dardan Sejdiu ka paralajmëruar se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja, duke vlerësuar se mungon vullneti real për një marrëveshje politike rreth zgjedhjes së Presidentit. Sipas tij, i gjithë procesi po përdoret si strategji nga kryeministri Albin Kurti për të menaxhuar skenën politike dhe për të shpërndarë përgjegjësinë tek opozita. “Po shkojmë në zgjedhje… nuk ka interesim për marrëveshje. Ka interes që faji të shpërndahet sa më shumë te partitë opozitare”, ka deklaruar Sejdiu, duke theksuar se dinamika aktuale është më shumë taktike sesa përmbajtjesore. Ai ka komentuar edhe raportet me LDK-në, duke sugjeruar se mesazhet e Kurtit janë kontradiktore, nga njëra anë distancim, e nga ana tjetër hapje për bashkëpunim në qeveri. Sipas Sejdiut, kjo krijon një situatë ku e gjithë opozita, përfshirë PDK dhe AAK, mund të vendoset në një pozicion të përbashkët përballë pushtetit. Në këtë kontekst, ai e sheh çështjen e Presidentit jo si proces institucional normal, por si instrument politik për të përgatitur terrenin për zgjedhje të parakohshme, duke thelluar edhe më tej krizën e besimit ndërmjet pozitës dhe opozitës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
