Kryetari i Komunës, z. Bashkim Ramosaj, priti në takim përfaqësues të Habitat-it të Kombeve të Bashkuara, me të cilët diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit në hartimin e detyrës projektuese për Planin Rregullues Detal, në kuadër të projektit “Porta e Turizmit Malor të Deçanit”.
Ky projekt ndërlidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e turizmit malor në zonën e Bjeshkëve të Nemuna dhe përbën një hap të rëndësishëm drejt planifikimit të qëndrueshëm dhe zhvillimit të kësaj zone me potencial të lartë turistik dhe natyror.
Përmes këtij bashkëpunimi synohet krijimi i një baze profesionale për zhvillimin afatgjatë të bjeshkëve tona, duke ruajtur njëkohësisht vlerat e tyre unike natyrore.
Kryetari Ramosaj falënderoi përfaqësuesit e UN-Habitat-it për gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetjen e vazhdueshme në këtë proces të rëndësishëm për komunën e Deçanit.