Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi ka pritur të premtën në një takim Ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Shkëlqesinë e Saj, znj. Eevamari Laaksonen. Sipas kryetarit Latifi u bisedua për marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, duke theksuar rëndësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Me këtë rast, kryetari Latifi pranoj edhe urimet e ambasadores për rizgjedhjen si Kryetar i Komunës, për të cilën Latifi e falënderoj sinqerisht.
Përgjatë takimit, u diskutua edhe për mërgatën e Kosovës në Finlandë, e cila përfaqëson një urë të fuqishme lidhëse ndërmjet dy vendeve, duke promovuar vlera, kulturë dhe bashkëpunim të ndërsjellë.
U theksua nevoja për ndërmarrjen e iniciativave konkrete që do të nxisin bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, si bujqësia, edukimi dhe arsimi, turizmi, si dhe u shqyrtua mundësia për binjakëzimin e Rahovecit me ndonjë komunë në Finlandë. Në këtë drejtim, u vlerësua rëndësia e mbështetjes së Ambasadës së Finlandës për promovimin e potencialeve të Rahovecit dhe rritjen e numrit jo vetëm të vizitorëve nga Finlanda në komunën e Rahovecit.
Në fund kryetari Smajl Latifi e falënderoj Ambasadoren Laaksonen për vizitën dhe për gatishmërinë për të mbështetur iniciativa që kontribuojnë në zhvillimin e komunës së Rahovecit.