“Për Malishevën e pastër”, aksion që po merr mbështetje nga qytetarët

Muaji prill është shpallur muaj i ambientit në Komunën e Malishevës dhe në kuadër të kësaj iniciative po zhvillohet aksioni i madh i pastrimit me moton “Për Malishevën e pastër”. Ky aksion ka vazhduar edhe sot në pesë vendbanime të komunës, në Damanek, Bubël, Tërpezë, Berishë dhe Fshat i Ri.

Aksionit gjatë ditës së sotme i kanë prirë kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe nënkryetari Vesel Krasniqi, të shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale dhe zyrtarë të tjerë përgjegjës. Në këtë iniciativë janë bashkuar edhe qytetarët, nxënësit dhe mësimdhënësit e këtyre vendbanimeve, të cilët me përkushtim kanë kontribuar në pastrimin e hapësirave publike dhe në mbrojtjen e mjedisit.

Një shembull i mirë për t’u vlerësuar është edhe vetorganizimi i banorëve në disa fshatra, si në Tërpezë dhe Berishë, të cilët përveç largimit të mbeturinave nga hapësirat e tyre, kanë ndërmarrë edhe iniciativa për gjelbërim, duke mbjellë drunj dhe duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm për banorët.

Në të njëjtën kohë po vazhdohet edhe me largimin e deponive ilegale të mbeturinave inerte në territorin e komunës. Me këtë rast, u bëhet thirrje qytetarëve që mbeturinat inerte t’i dërgojnë në pikat e përcaktuara për grumbullimin e tyre në Banjë, Kijevë dhe Llapçevë, të cilat janë të dedikuara për këtë qëllim.

Komuna e Malishevës apelon që aksione të tilla të mbështeten vazhdimisht nga qytetarët, pasi ruajtja e ambientit është përgjegjësi e përbashkët dhe një hap i rëndësishëm drejt një Malisheve më të pastër dhe më të shëndetshme për të gjithë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Ekrem Kastrati bëri homazhe në 27-vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit

Në shënim të 27-vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve të kombit, Ibrahim Mazrreku, Kujtim Krasniqi, …