Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka komentuar votimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës, duke pretenduar se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur interes të veçantë politik për miratimin e tij. Haradinaj tha se nuk ka dyshuar asnjëherë se Vetëvendosje do ta votonte këtë ligj, pavarësisht qëndrimeve të mëparshme të kësaj partie lidhur me Gjykatën Speciale dhe proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Sipas tij, votimi i ligjit i ka krijuar VV-së mundësinë që të arsyetojë qëndrimin e saj politik ndaj luftës çlirimtare dhe të kundërshtojë akuzat se është kundër UÇK-së. “Asnjëherë s’kam dyshuar që VV nuk do ta nënshkruajë ligjin. Kujt më fort se VV-së nuk i është dashur që ta nënshkruajë ligjin, sepse tani me këtë ligj këta kanë bërë dy sende”, deklaroi Haradinaj. Ai pretendoi se përmes këtij votimi, Vetëvendosje synon të dëshmojë se nuk është kundër UÇK-së dhe se nuk dëshiron që ish-krerët e saj të qëndrojnë në burg, ndërsa njëkohësisht të paraqesë qëndrimin e saj kundërshtues ndaj Gjykatës Speciale dhe vendimeve të saj. Haradinaj vlerësoi se ky veprim i ka dhënë VV-së mundësinë të mbrohet nga kritikat politike që i janë bërë për qëndrimin ndaj luftës dhe ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Deklaratat e tij vijnë në mes të debatit politik në Kosovë për Ligjin për Gjykatën Speciale dhe qëndrimet e partive politike ndaj proceseve gjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
