Paneli i gjyqtarëve të Gjykata Speciale ka vendosur t’ia vazhdojë paraburgimin ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndonëse ka vënë në pikëpyetje një nga argumentet kryesore të prokurorisë. Në vendimin e publikuar më 13 prill 2026, gjykata ka konstatuar se pretendimi për “rrezikun e arratisjes” nuk është mbështetur mjaftueshëm nga Prokuroria Speciale. Sipas panelit, edhe pse ky rrezik nuk mund të përjashtohet plotësisht, nuk ka prova të mjaftueshme që tregojnë një mundësi reale dhe të besueshme që Thaçi të arratiset nëse lirohet. Megjithatë, pavarësisht këtij vlerësimi që dobëson një nga bazat kryesore të kërkesës së prokurorisë, gjykata ka vendosur të vazhdojë paraburgimin, duke u mbështetur në dyshimet për pengim të procedurave dhe mundësinë e kryerjes së veprave të tjera penale. Ky vendim ngre dilema serioze mbi standardet e aplikimit të masës së paraburgimit: edhe kur një nga arsyet kyçe bie, masa më e rëndë e sigurisë mbetet në fuqi. Për kritikët, kjo e përforcon perceptimin se paraburgimi po shndërrohet në një masë të zgjatur preventive, më shumë sesa në një domosdoshmëri të bazuar në rreziqe të provuara dhe konkrete.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
