Pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit dhe shpërndarjes së tij, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar takim me kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, për të diskutuar hapat e ardhshëm drejt organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Nga Zyra e Presidentes u bë e ditur se në takim është theksuar rëndësia e përgatitjeve në kohë, në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe standardet demokratike, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt dhe të besueshëm zgjedhor. Në takim u diskutuan gjithashtu afatet ligjore, aspektet administrative dhe koordinimi institucional, me synimin që zgjedhjet të mbahen pa vonesa dhe me standarde të larta profesionale. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e Kuvendit, ndërsa afati i fundit bie më 7 qershor. Pikërisht këtë datë e ka propozuar edhe Radoniqi, duke theksuar se KQZ-së i duhet sa më shumë kohë për përgatitje. “Dy data janë në opsion, 31 maji ose 7 qershori. Për mendimin tonë, data më e përshtatshme është 7 qershori, por vendimi i mbetet presidentes”, deklaroi ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
