Kuvendi i Komunës së Ferizajt ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të kryesuar nga kryesuesi Xhavit Zariqi. Në këtë mbledhje morën pjesë drejtorët e drejtorive komunale, anëtarët e Kuvendit, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në fillim të mbledhjes, drejtoresha e Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, paraqiti raportin financiar për periudhën janar–mars 2026. Ndërkaq, drejtoresha e Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, Festina Sadiku-Hyseni, prezantoi propozim-vendimin për shpalljen e interesit të përgjithshëm për ngastrën kadastrale 81-0 në Sazli, pronë private, me qëllim të këmbimit me një pjesë të ngastrës kadastrale 753-0 në Sazli, pronë e Komunës së Ferizajt.
Po ashtu, u shqyrtua edhe propozim-vendimi për shpalljen e interesit të përgjithshëm për ngastrat kadastrale 63-5 dhe 63-6 në Z.K. Gërlicë, prona private, me qëllim të këmbimit me ngastrën kadastrale 195-0 në Z.K. Varosh, pronë e Komunës së Ferizajt.
Gjithashtu, u paraqit propozim-vendimi për daljen në konsultim publik të rregullores së taksave komunale.
Në fund të mbledhjes, u shqyrtua edhe propozim-vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të ngastrave kadastrale 1510-0 dhe 1511-0 në Z.K. Rahovicë.
Anëtarët e Kuvendit të Komunës patën diskutime pro dhe kundër për këto pika të rendit të ditës, por në fund të gjitha u miratuan.
Po në këtë mbledhje u votua edhe për komisionin për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale, si dhe komisionin e ankesave. Në komisionin për dhënien në shfrytëzim janë këta anëtarë: Festina Sadiku-Hyseni dhe Balton Dërguti nga ekzekutivi i Komunës, Sadat Ismajli nga PDK-ja, Amir Rexhepi nga VV-ja, si dhe Kenan Gashi nga shoqëria civile.
Ndërsa anëtarë të komisionit për ankesa janë: Arbër Bytyqi dhe Alberton Sahiti nga ekzekutivi i komunës, Maliq Muharremi nga PDK-ja, Arbnor Murseli nga VV-ja, si dhe Lorik Krasniqi nga shoqëria civile.
Në këtë mbledhje, Heset Maliqi nga PDK-ja dha betimin si anëtar i ri i Kuvendit.