Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një vizitë në Shkup, në një moment të ndjeshëm për shqiptarët në Maqedonia e Veriut, ku debati për përdorimin e gjuhës shqipe në sistemin arsimor ka prodhuar tensione dhe reagime publike. Vizita e tij vjen vetëm disa javë pas protestave të studentëve shqiptarë lidhur me kufizimet në përdorimin e shqipes në provimin e jurisprudencës, një çështje që prek drejtpërdrejt të drejtat gjuhësore dhe barazinë institucionale. Pavarësisht ndjeshmërisë së situatës dhe jehonës që ajo pati, Kurti nuk ka pasur një qëndrim publik apo reagim zyrtar lidhur me zhvillimet në fjalë. Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në institucione mbetet e rregulluar në parim nga Marrëveshja e Ohrit, por zbatimi i saj në praktikë vazhdon të jetë objekt debatesh dhe pakënaqësish. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare nga Zyra e Kryeministrit apo institucionet e Kosovës që të adresojë drejtpërdrejt këtë situatë, duke lënë hapësirë për interpretime dhe kritika mbi prioritetet politike të qeverisë në raport me çështjet kombëtare në rajon.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
