Haki Abazi: Kurti, premtoi fitore diplomatike, por Kosova mbeti me probleme të pazgjidhura

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e kritikuar për menaxhimin e dialogut me Serbinë, mosrealizimin e premtimeve ndërkombëtare dhe përkeqësimin e klimës politike në vend. Abazi deklaroi se qeveria aktuale ka ndërtuar politika populiste pa zgjidhur problemet reale të Kosovës në raport me Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare. Sipas tij, vendimi për pronat e Manastirit të Deçanit u mor me premtime për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por ky premtim nuk u realizua. “Z. Kurti ka dhënë 24 hektarët e Manastirit të Deçanit me premtimin se Kosova do të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës. Kjo nuk ndodhi”, deklaroi Abazi. Ai tha se marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit nuk kanë sjellë zgjidhje konkrete, ndërsa çështja e Asociacionit vazhdon të mbetet e hapur. Abazi kritikoi edhe mënyrën e trajtimit të veriut të Kosovës, duke thënë se strukturat serbe vazhdojnë të jenë aktive dhe se Lista Serbe mbetet prezente në pushtetin lokal Sipas tij, Kurti kishte mundësinë ta shpallte Listën Serbe organizatë terroriste pas sulmit në Banjskë, por nuk e bëri këtë. “Kurti po e përjeton pushtetin si luftë ndaj oponentëve politikë dhe ka futur propagandën fashiste që denigron njerëz dhe shkatërron debatin politik”, tha ai. Ai pretendoi se ekzistojnë grupe të organizuara brenda LVV-së që përdorin aktivistë dhe profile të rreme në rrjete sociale për të sulmuar figura publike dhe politike.

Kontrolloni gjithashtu

Endrit Thaçi në mbështetje të Bedri Hamzës: Kosovës i duhet ndryshimi, votoni 125

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij …