Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se po vazhdon periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, proces i cili ka nisur më 6 maj dhe do të përfundojë më 17 maj 2026. Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, deri më 13 maj në orën 10:00, përmes platformës elektronike janë pranuar gjithsej 67,685 kërkesa për regjistrim të votuesve nga diaspora. Nga këto aplikime, 61,500 janë aprovuar, 5,858 janë refuzuar, ndërsa 301 kërkesa mbeten ende në shqyrtim. Sipas statistikave të KQZ-së, nga aplikimet e aprovuara, 14,566 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike të Kosovës. Ndërkaq, 1,605 votues kanë zgjedhur që pakon me fletëvotim ta dërgojnë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ndërsa 45,329 të tjerë do të votojnë duke e dërguar pakon me fletëvotim në kutitë postare jashtë vendit. KQZ-ja ka bërë thirrje që të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit të aplikojnë brenda afatit të përcaktuar për të siguruar të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet e ardhshme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
