Pak institucione kanë fatin dhe madhështinë të mbajnë mbi supe një shekull historie. Për 100 vjet, ShFMU “Bajram Curri” në Krushë të Madhe ka qenë vatër dijeje, edukimi, atdhedashurie dhe formimi për mijëra nxënës që dolën nga këto banka për t’i shërbyer vendit me nder e dinjitet, ka thënë, kryetari i komunës së Rahovcecit, z. Smajl Latifi në shënimin e përvjetorit të 100-të të këtij institucioni arsimor.
“Sot, në këtë jubile të veçantë, mes emocioneve dhe krenarisë, u mblodhën nxënës, mësimdhënës, ish-mësimdhënës, prindër, familjarë të dëshmorëve, zyrtarë komunalë dhe shumë qytetarë, për të nderuar një histori njëqindvjeçare që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në arsimin dhe edukimin e brezave të tërë.
Programi kulturor dhe artistik i përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit i dha kësaj dite një madhështi të veçantë, i falënderoj dhe i përgëzoj përzemërsisht për përkushtimin dhe emocionin që sollën!
Urime jubileu i 100-të i SHFMU “Bajram Curri”!
Le të vazhdojë kjo vatër arsimi të ndriçojë mendje edhe për shumë breza të tjerë, tha kryetari Latifi.