Ramush Haradinaj kujton Masakrën e Dubravës dhe Vushtrrisë: “Kosova nuk harron krimet e regjimit serb”

Ramush Haradinaj ka kujtuar Masakrën e Dubravës dhe masakrën në Vushtrri, duke i cilësuar ato si ndër krimet më çnjerëzore të kryera nga regjimi serb ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. Përmes një postimi publik, Haradinaj tha se nga 19 deri më 22 maj 1999, në Burgu i Dubravës u vranë mbi 130 të burgosur shqiptarë dhe qindra të tjerë u plagosën, në atë që ai e quajti një përpjekje mizore për të thyer rezistencën shqiptare. “Masakra e Dubravës mbetet dëshmi e qartë e politikës gjenocidale dhe të spastrimit etnik të ushtruar ndaj popullit shqiptar”, ka shkruar Haradinaj. Ai kujtoi edhe masakrën e 22 majit 1999 në Vushtrri, ku forcat serbe vranë dhjetëra civilë të pafajshëm, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Sipas Haradinajt, nga 68 civilët e vrarë në rrugën “22 Maji”, trupat e 67 prej tyre u gjetën vite më vonë në varrezat masive në Serbi. “Rruga drejt lirisë ishte e rëndë dhe e mbushur me sakrifica të panumërta. Edhe sot, Serbia vazhdon të mos pranojë përgjegjësinë për krimet e kryera”, theksoi ai. Në fund, Haradinaj tha se obligim i institucioneve dhe qytetarëve mbetet kërkimi i drejtësisë për viktimat e luftës. “Kosova nuk harron. Lavdi e përjetshme për të rënët për liri!”, përfundoi ai.

Kontrolloni gjithashtu

Përparim Rama: Në zemër të Kosovës, në Prishtinë, do të jehojë përjetësisht zëri i komandantit legjendar Adem Jashari

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se janë shpallur projektet fituese për …