Hajrush Kurtaj: NJË NGA NGJARJET E LAVDISHME TË UÇK-së NË BRIGADËN 162 “AGIM BAJRAMI” TË KAÇANIKUT

Shënimi i 27 vjetorit betejës së 25 majit 1999, betejës përfundimtare të çlirimit të Kaçanikut dhe rënies heroike të komandantit të kompanisë së parë Nazmi Osmani (tani hero i kombit) dhe bashkëluftëtarëve të tij: Avdulla Baftiu, Shaqir Kuka, Sakip Hysa, Sadik Guri dhe Qemal Guri
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ishte liridashëse dhe e drejtë. Sakrifica e popullit, qëndresa e luftëtarëve të lirisë dhe heroizmi i Dëshmorëve të Kombit gjithmonë do të jetë në kujtesën e Kombit Shqiptar.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e lindur si nevojë e ekzistencës kombëtare, u rrit dhe u zhvillua si një ushtri moderne. UÇK-ja kishte tiparet më të spikatura të një ushtrie të kohës sonë. Duke i vlerësuar ato, dua të veçoj se:
• Lindi si nevojë nga gjiri i popullit të shtypur dhe të persekutuar për të fituar lirinë e shumëkërkuar ndër shekuj;
• Doli si një forcë serioze për të vendosur drejtësi pa lutje;
• U krijua si një ushtri që e vendosi bazën e saj në gjirin e popullit të Kosovës dhe e mbështeti përkrahjen në popull, pasi kishte besim të plotë në ecurinë e aktit të saj për liri;
• U rrit shpejtë si një ushtri me disiplinë të vullnetshme;
• Siguroi një popullaritet kombëtarë dhe ndërkombëtar si një ushtri demokratike;
• Ndoqi një taktikë dhe strategji të studiuar mirë dhe arriti të fitojë reputacionin e duhur në sytë e gjithë opinionit të brendshëm dhe të jashtëm;
• Vendosmëria për arritjen e synimeve dhe objektivave të luftës ishte një nga tiparet thelbësore të saj.
Brigada 162 e udhëhequr nga komandantët: Agim Bajrami, Qamil Ilazi e Hajrush Kurtaj vazhdoi me operacionet luftarake nëpër shumë beteja, nga: Gabrrica, Jezerci, Puset e Nikës, Gajres, Ivajës, Kotlinës, Rakocit, Lagjes së Re, Nikaj, Runjevës, Stagovës e deri tek beteja e fundit dhe vendimtare e cila ishte më 25 maj e që sot po shënojmë 27- vjetorin e kësaj beteje.
Sot e 27 vjet më parë forca të mëdha serbe, si ushtria, policia dhe grupe të ndryshme paramilitare, të udhëhequra nga aparati shtetëror okupues serb, duke marrë peng popullsinë civile, mësynë, anën perëndimore të lumit Lepenc që përfshinte fshatrat Bob, Kovaçec, Biçec, Nikaj, Dubravë, Vataj, Soponicë, të cilat herët në mëngjes i kishin futur në një rrethim të hekurt. Qëllimi i tyre ishte që të shfarosnin çdo gjë të gjallë dhe të shkatërronin gjithçka që mund të shkatërrohej.
Duke mos mundur të asgjësonin çlirimtarët, okupatorët serbë mësyn në mënyrë barbare mbi gjithçka që u dilte përpara, duke vrarë e masakruar civilë dhe duke plaçkitur e djegur shtëpi.
Por, si gjithnjë, në histori kur populli ishte gjendur në situata të rënda i kishte bijtë dhe bijat që me gatishmërinë, vullnetin dhe sakrificën e tyre i kishin dalë zot vendit, atdheut.
Kështu, në situatën më të rëndë për popullin shqiptar, kur Kosova digjej e shkretohej, krahas mijëra luftëtarëve të lirisë, qëndrojnë heroikisht Nazmi Osmani me bashkëluftëtarët e tij.
Në 27 vjetorin e mbarimit të luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po e rikujtojmë në 26-vjetorin e betejës së lavdishme, 25 majin e vitit 1999 këtu dhe të betejave të tjera të Kosovës martire, por edhe në 27 vjetorin e plagëve të mëdha që po ndodhnin bashkë me çmimin e lirisë.
Për Kaçanikun muajt më të përgjakshëm ishin: Marsi, Prilli dhe Maji 1999. Vetëm gjatë këtyre tre muajve, kemi humbur mbi 200 qytetarë, ushtarë e martirë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës mori mbi vete misionin e ndryshimit përfundimtar të historisë së Kosovës dhe historisë kombëtare shqiptare.
Të gjithë luftëtarët e UÇK-së, u nisën për luftë, nga parimi se: “Lirinë nuk ta falë askush, ajo fitohet vetëm me pushkë”. Rruga luftarake e Brigadës 162 “Agim Bajrami” ishte e gjatë dhe me plot sakrifica, por e lavdishme. Në këtë rrugëtim kanë rënë 95 Dëshmorë të Kombit e në mesin e tyre edhe Komandanti i kompanisë Nazmi Osmani dhe bashkëluftëtarët e tij, ku në Biçec ranë: Sadik Guri, Qemal Guri, Avdullah Baftiu, në Kukaj, ranë dëshmorët: Shaqir Kuka e Sakip Hysa, ndërsa plagë të lirisë marrin luftëtarët: Zekirija Vishi, Mustafë Bunjaku, Afet Dalloshi, Xhemil Dalloshi dhe Ferid Guri, nga popullata civile u martirizuan këta civilë: Milaim Vishi, Rrahim Vishi, Sylejman Guri (të kidnapuar dy javë më parë), Hajrush Qorri me fëmijët: Fetije e Artan Qorrin, Rexhep Qorri, Ali Tusha, Xhemajl Tusha, Sami Tusha, ndërsa Faton Qorri u plagos rëndë, kurse vajza tjetër Shpresa, pas tmerrit që pa në fshatin e saj detyrohet të përcjellë vëllain e plagosur në spital të Prishtinës, me ç’rast përjeton dhunë, tmerr e terror ku pas gjithë kësaj mezi arrin të ikë dhe për disa ditë të kthehet në vendin e lindjes me plagë të marra nga forcat okupatore serbe, ku dhe tani përballet me pasoja shëndetësore.
Falë kësaj qëndrese dhe kësaj sakrifice sot shënojmë 26 – vjetorin e rënieve heroike për lirinë e kombit dhe atdheut.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës e udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari ishte arritja kulmore në historinë tonë, e cila ia ndërroi rrjedhat historisë, ajo e vulosi fillimin e luftës për çlirimin e Kosovës, por edhe fitoren e kësaj lufte, ndërsa familja Jashari u bë shembulli më kuptimplotë i sakrificës dhe flijimit për lirinë e Kosovës, në ato përmasa madhështie që i kaloi kufijtë e reales dhe marrin konturat e legjendës.
Duke kujtuar 27 vjetorin e rënies heroike të komandantit të kompanisë Nazmi Osmanit (tani hero i kombit) , kujtojmë:
• Rolin e tij në zgjerimin e njësiteve të UÇK-së në Kaçanik,
• Rolin e tij në betejën e 28 shkurtit 1999 në Gajre,
• Rolin e tij në formimin dhe përgatitjen e Kompanisë së parë të Batalionit të Parë,
• Rolin e tij në Betejën e 8 marsit dhe 24 marsit në Ivajë, Gajre dhe Kotlinë.
Në të gjitha këto operacione luftarake Nazmi Osmani ishte në krye të kompanisë dhe në vijën e parë të frontit.
Nazmi Osmani duke qenë komandant i kompanisë, ai shpejt e fitoi përvojën ushtarake. Komandant Nazmiu ishte papritueshëm, posedonte një kulturë të veçantë komunikimi me ushtarët dhe eprorët. Ai mbahet mend në të gjitha njësitë e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, si komandant që ushtarëve dhe eprorëve u ka dhënë dije për luftën në pozicionet e ndeshjeve me ushtrinë dhe policinë serbe. Ai kurrë nuk u ankua, pavarësisht nga vështirësitë dhe rrezikshmëritë e situatave. Ishte përherë i ashpër dhe i pakompromis në beteja.
Lufta në Kosovë ka qenë e gjatë, e drejtë dhe e lavdishme, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë e madhe. Lufta e lavdishme dhe heroike e UÇK-së me përkrahje të madhe të popullit liridashës dhe gjaku i dëshmorëve dëshmoi më së miri se një popull që lind bij e bija të tillë pavarësisht nga vështirësitë që i dalin përpara, e ka të ardhmen e ndritur.
Sipas shembullit frymëzues të atdhetarëve më të ndritur të gjitha periudhave, komandant i Kompanisë Nazmi Osmani ishte dhe mbetet njëri ndër simbolet më të fuqishme të burrërisë, sakrificës dhe përkushtimit. Ai ishte idealist, ishte një nga ata që kurrë nuk u largua nga lufta, edhe në luftën ilegale edhe në luftën çlirimtare, por gjithnjë ishte në vijën e parë të frontit. Meritat e komandantit Nazmi Osmani janë të mëdha në shtetin e pavarur të Kosovës.
Nazmi Osmani, organizator i përsosur i Lëvizjes Ilegale Çlirimtare në rrethin e tij, autoritet i jashtëzakonshëm dhe njeri i lindur për aksione të mëdha dhe për beteja të lavdishme, njeriu që të gjitha provimet i dha suksesshëm në jetën e tij prej liridashësi, provimin e atdhedashurisë, të trimërisë, të guximit, të heroizmit, të komandantit dhe të drejtimit të luftës, të gjitha këto i realizoi me sukses të lartë.
Organizator i përsosur i Lëvizjes Ilegale Çlirimtare
• Pjesëmarrës i demonstratave dhe të gjitha organizimet kundër shtetit okupues serb;
• Kontribues në vitet 90-ta, në Sindikatën e Pavarur të Milicisë (Policisë) për ta kundërshtuar milicinë (policinë) okupuese të shtetit serb, këtë aktivitet e zhvilloi si kryetar i sindikatës për Bashkësinë lokale, Doganaj dhe Elezaj.
Simbol i burrërisë, sakrificës dhe përkushtimit
• U ndihmoi njësiteve të para të UÇK-së në logjistik dhe detyra të ndryshme, radhëve të UÇK-së iu bashkua në gusht të vitit 1998. Ishte betuar para varreve të Heronjeve në Gabrricë: Agim Bajramit, Xheladin Kurtajt dhe Besnik Beguncës se luftën do ta vazhdojmë deri në çlirimin e vendit;
• Derisa njësiti i Kaçanikut ndodhej në Jezerc, Nazmiu nga komanda kishte për detyrë organizimin dhe mobilizimin e ushtarëve të rinj si dhe përgatitjen e tyre për luftë.
Autoritet i jashtëzakonshëm dhe njeri i lindur për aksione të mëdha dhe për beteja të lavdishme
• Në bazë të sukseseve në punë dhe njohurive ushtarake, komanda e Brigadës 162 ”Agim Bajrami” në krye me komandantin e Brigadës (tani hero i kombit) Qamil Ilazi e emëron komandant të togës në tetor të viitit 1998;
• Komanda e Brigadës duke e parë angazhimin e jashtëzakonshëm të Nazmiut, në udhëheqje të togës dhe sukseseve gjatë betejave të shkurtit dhe marsit e emëron në fillim të prillit komandant kompanie në Batalionin e Parë.
• Kompaninë e drejtoi me sukses dhe disiplinë të hekurt, duke marrë pjesë në të gjitha betejat e lavdishme të Brigadës 162 “Agim Bajrami” deri në rënien heroike të tij më 25 maj 1999, në fshatin Biçec në Lagjen Zhark, në betejën përfundimtare të çlirimit të Kaçanikut.
Komandanti i kompanisë Nazmi Osmani mori pjesë në të gjitha betejat e zhvilluara në Kaçanik. Ai gjatë luftës tregoi një guxim të madh, ku ishte shembull për bashkëluftëtarët e vet dhe qëndroi i pathyeshëm deri në momentin e rënies. Vepra dhe heroizmi i tij do të mbeten të pashlyeshme në kujtesë për brezat e ardhshëm.
Duke pasur parasysh këtë angazhim të jashtëzakonshëm kryesia e veteranëve të luftës nën udhëheqjen e Hajrush Kurtajt i propozon presidentit të Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçit, që dëshmori Nazmi Osmani dhe disa dëshmorë që kanë bartur detyra të rëndësishme, nga fillimi i Luftës, të shpallen heronj të Kosovës. Vendimi i Presidentit të Republikës së Kosovës me Nr.230/219, Prishtinë, më 09. 08. 2019 u lexua në ditën e dëshmorëve, me 10 gusht 2019 në Shtëpinë e Kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik. Po këtë ditë janë shpallur heronj edhe këta dëshmorë: Nazmi Osmani, Xheladin Kurtaj, Besnik Begunca, Hetem Hasaj, Nazim Terziu, Bashkim Vishi, Muhamet Zeneli, Osman Luma, Murat Lika, Izahir Troni, Fadil Çaka, Milaim Loku. Po këtë ditë, me propozim të kryetarit të komunës së Kaçanikut z. Besim Ilazi, shpallen heronj nga Presidenti Thaçi edhe këta dëshmorë: Tefik Raka, Avdylgafurr Luma, Mejdi Dalloshi dhe Reshat Shehu.
Më 25 maj 2000 në vendin e rënies në Lagjen Zhark, në fshatin Biçec, i ngritet pllaka përkujtimore kurse tre vite pas rënies, Shkolla e fillore në Elezaj emërtohet me emrin e heroit Nazmi Osmani.
Komandanti i kompanisë, tanimë hero i kombit kishte lidhje të fortë midis vlerave ushtarake dhe normave shoqërore. Kishte një bazë të fortë morale dhe etike.
Njihte mirë perspektivat, për të cilat përcaktohej, synimet që duhej të arrinte në fushën ushtarake shumë komplekse. Ishte një profesionist i dalluar.
Vepra e tyre është shembull i rrallë se si mbrohet atdheu dhe populli kur gjenden në rrezik.
Dëshmorët janë të përjetshëm, ata janë kujtesa jonë e lartë, nderi i kombit dhe vlera jonë kombëtare.
Është obligim yni dhe i të gjitha gjeneratave që vijnë pas që t’i kujtojmë e nderojmë heronjtë, dëshmorët dhe martirët tanë dhe të përkujdesemi kurdoherë për fëmijët dhe familjet e tyre, t’i bëjmë ata që asnjëherë të mos e ndjejnë mungesën e prindërve, vëllezërve dhe motrave të tyre. Njëlloj, kemi për detyrë ne, brezi ynë i ri, por edhe i tërë populli ynë që vlerat e fituara me luftë e gjak t’i ruajmë dhe forcojmë kurdoherë, si një proces i përhershëm dhe i domosdoshëm.
Dëshmori Nazmi Ilmi Osmani pas vetes la nënë Bedrijen që ndërroi jetë, më 21 qeshor 2015, bashkëshorten Safeten, djemtë: Armendin dhe Arbenin, vajzat: Shqipen, Majlinden, Sebahaten, Besartën dhe vëllezërit: Fatmirin, Halilin, Avdiun dhe Ismajlin. Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës – Ministria e Mbrojtjes, nga SHP i UÇK-së, Shtabi i Zonës, Shtabi i Brigadës, Organizata e Veteranëve të UÇK-së dega në Kaçanik etj.
Lavdi Heroit të Kombit – Nazmi Osmani dhe deshmorëve Sadik Guri, Qemal Guri, Avdullah Baftiu, Shaqir Kuka, Sakip Hysa si dhe të gjithë të rënëve për liri!
Respekt familjeve të tyre!
Nderime veteranëve dhe invaldëve të Luftës së Lavdishme të UÇK-së!
Hajrush Kurtaj, luftëtar i Lirisë, zv.komandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, shef i Shtabit në Komandën e Zonës së Gjashtë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në MFSK/MM dhe aktualisht drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Qëndresa heroike e Tahir Nebih Mehës dhe Nebih Emin Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981

Ahmet Qeriqi: Qëndresa titanike e Tahir e Nebih Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981, ishte riciklim i historisë së rezistencës

Qëndresa heroike e Tahir dhe Nebih Mehës, në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981, …