Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka mbajtur një tubim elektoral në Drenicë, ku ka vlerësuar rolin historik të kësaj treve në momentet vendimtare të Kosovës dhe ka bërë thirrje për mbështetje në zgjedhjet e 7 qershorit. Para qytetarëve të pranishëm, Hamza theksoi se Drenica ka qenë gjithmonë simbol i qëndresës, sakrificës dhe kthesave të mëdha historike për vendin. “Në Drenicën heroike, në vendlindjen time. Këtu i është thënë STOP padrejtësive dhe nga këtu ka filluar kthesa historike. Këtu i themi STOP krizës, duke i prirë marshit për ndryshimin e Kosovës”, deklaroi ai. Hamza vlerësoi traditën e mikpritjes dhe bujarisë së Drenicës, duke nënvizuar se kjo trevë ka ruajtur gjithmonë identitetin, dinjitetin dhe vlerat kombëtare përballë çdo sfide. “Drenica është vend i mikpritjes dhe bujarisë, ku çdo shqiptar e ka derën gjithmonë të hapur. Por ky vend është edhe vatër e rezistencës, që i ka qëndruar përballë çdo përpjekjeje për t’ia imponuar vullnetin me forcë”, tha ai. Kandidati i PDK-së për kryeministër theksoi se historia e Drenicës dhe kontributi i saj në lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës janë të pandryshueshme. “Këtë histori nuk mund ta ndryshojë askush, as nga brenda e as nga jashtë. Bashkë, gjithmonë bashkë, do ta ndryshojmë Kosovën”, u shpreh Hamza. Tubimi në Drenicë u zhvillua në kuadër të fushatës së PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, nën sloganin “Stop Krizës. Ndrysho Kosovën!”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
