Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti për anulimin e dy projekteve që ai i cilësoi si më strategjiket për sektorin energjetik të vendit: termocentralin “Kosova e Re” dhe centralin me gaz. Hoti tha se të dy projektet kishin mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se anulimi i tyre ka dëmtuar interesat shtetërore dhe partneritetin strategjik me aleatin kryesor të Kosovës. Sipas tij, projekti “Kosova e Re” ishte kontraktuar me një kompani amerikane në prani të ambasadorit amerikan në Prishtinë, ndërsa centrali me gaz ishte pjesë e Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në praninë e presidentit amerikan të asaj kohe. “Të dy projektet mbesin projektet më strategjike të Kosovës sot dhe për dekadat në vijim, me rëndësi ekonomike dhe politike për Republikën e Kosovës”, ka shkruar Hoti. Ai kritikoi ashpër kundërshtimin e këtyre projekteve, duke pretenduar se argumentet për ndikimin në mjedis kanë qenë të pabazuara dhe janë përdorur për të penguar realizimin e investimeve energjetike. Sipas Hotit, qeveria e ardhshme duhet t’i rikthehet urgjentisht zbatimit të këtyre projekteve, duke shtuar se Kosova ka potencial të shndërrohet në eksportuese neto të energjisë. “Kosova mund dhe do të bëhet neto eksportuese e energjisë. Kosova mund t’i lejojë vetes të ketë varësi energjetike vetëm nga SHBA përmes projektit të gazit amerikan”, ka deklaruar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
