Doarsa Kica-Xhelili: Vetëvendosje deshi ta përdorte LDK-në si “dekor” për të çuar vendin në zgjedhje

Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se gjatë negociatave politike kishte synuar ta përdorte LDK-në vetëm për të legjitimuar një proces që, sipas saj, kishte përfundim të paracaktuar – dërgimin e vendit në zgjedhje të reja. Ajo vuri në dyshim sinqeritetin e deklarimeve të nënkryetarit të LVV-së, Glauk Konjufca, duke rikujtuar qëndrimet e mëhershme të kryeministrit Albin Kurti lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja. “Po të kishim një poligraf për Glaukun, do të tregonte se sa jo i sinqertë është sonte. Kush ishte i pari që tha pas zgjedhjeve të kaluara se ka mundësi të shkojmë sërish në zgjedhje? Ishte Albin Kurti”, deklaroi ajo. Kica-Xhelili kundërshtoi gjithashtu pretendimet se opozita kishte detyrim kushtetues për t’ia siguruar kuorumin shumicës parlamentare, duke theksuar se një interpretim i tillë nuk mbështetet nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sipas saj, Vetëvendosje nuk e kishte trajtuar me seriozitet procesin e zgjedhjes së presidentit dhe asnjëherë nuk kishte ofruar mundësinë që LDK-ja të propozonte kandidatin për këtë post.  “Loja juaj politike ka qenë që LDK-ja të bëhej dekor për t’ju çuar në zgjedhje”, deklaroi Kica-Xhelili, duke akuzuar partinë në pushtet për mungesë serioziteti dhe konsistence në procesin e dialogut politik.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj nga Peja: Kosova ka nevojë për Ardian Gjinin, votojeni numrin 128

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga qytetarët e Pejës që në zgjedhjet e …