Të nderuar familjarë të dëshmorëve, Të nderuar bashkëluftëtarë, të nderuar gjeneral të luftës dhe të paqes, i nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë Petrit Malaj, të nderuar kandidatë për deputetë nga të gjitha subjektet politike, qytetarë të nderuar dhe të pranishëm,
Jemi mbledhur sot këtu, në fshatin heroik të Dobërdolanit, për të përuruar një monument të qëndresës, një simbol të pathyeshëm të rezistencës dhe të përpjekjes sonë për liri – Kullën e Lirisë, Kullën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nuk është rastësi që kjo kullë ngrihet pikërisht këtu. Më 5 qershor 1998, në këtë fshat, për herë të parë në komunën e Suharekës, UÇK-ja doli publikisht, duke i dhënë popullit shpresë, besim dhe një rrugë të re drejt çlirimit të shumëpritur. Kjo ditë përbën një gur themeli në historinë tonë të re, një akt guximi që sfidoi frikën dhe forcoi bindjen se liria është e arritshme, por kurrë pa gjak e pa sakrificë.
Fshati Dobërdolan ishte strehë edhe për veprimtarët ilegalë të kohës, përfshirë heroin e kombit, Bahri Fazliun. Prandaj, nuk është rastësi që pikërisht këtu u shfaq publikisht edhe UÇK-ja.
Kulla që përurojmë sot është një dëshmi e gjallë e gjakut dhe sakrificës. Brenda këtyre mureve jeton fryma e qëndresës shqiptare, rezistenca shekullore kundër pushtimit dhe përkushtimi i palëkundur për liri. Ajo u flet brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë me një mesazh të qartë dhe të përjetshëm:
“Pa gjak dhe pa sakrificë, nuk ka liri!”
Një popull i robëruar, që synon të jetojë i lirë, luftën për çlirim nuk e ka të imponuar, por domosdoshmëri.
Këtë e dëshmojnë më së miri dëshmorët tanë, bijtë më të mirë të kombit, që ranë për të mos vdekur kurrë. E dëshmojnë luftëtarët që lanë gjithçka për idealin e madh të lirisë. E dëshmon ky vend, i cili nga ajo ditë e lavdishme e deri më sot e ruan me nder flamurin dhe betimin e UÇK-së.
Në emër të Organizatave të Dala nga Lufta e UÇK-së – Dega në Suharekë, shprehim mirënjohjen tonë për kryetarin e komunës, z. Bali Muharremaj, dhe për të gjithë ata që kontribuuan në ndërtimin e kësaj kulle. Kjo është një vepër që lartëson historinë, nderon të rënët dhe edukon brezat që vijnë.
Të gjithë së bashku kemi për detyrë të mos e harrojmë rrugën që na solli deri këtu, sepse harresa është fyerje për ata që dhanë jetën për lirinë tonë. Le ta mbrojmë këtë liri me përgjegjësi, dinjitet dhe përkushtim ndaj së vërtetës sonë historike.
Në historinë e popullit shqiptar, kulla ka qenë gjithmonë më shumë se një ndërtim prej guri – ajo ka qenë simbol i qëndresës, i nderit dhe i mbrojtjes së jetës e të dinjitetit. Nga kullat e vjetra në Kosovë e deri te ndërtimet e reja që po ngrihen sot, kjo traditë vazhdon të jetojë si një dëshmi e fortë e identitetit tonë kombëtar.
Kohëve të fundit, në komunën e Suharekës janë ngritur disa “Kulla të Lirisë”, të cilat simbolizojnë qëndresën dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto kulla janë monumente që mbajnë në vete kujtesën kolektive të sakrificës për liri. Ato rikujtojnë një periudhë të vështirë, kur populli shqiptar luftoi për të drejtat, lirinë dhe ekzistencën e vet.
Në të kaluarën, kulla shqiptare kishte një rol të rëndësishëm në jetën e përditshme. Ajo ishte strehë për familjen, por edhe fortesë kundër rreziqeve. Në kohë trazirash, muret e saj të trasha mbronin banorët, ndërsa brenda saj ruheshin vlerat më të larta të shoqërisë shqiptare: mikpritja, besa dhe nderi. Në këtë mënyrë, kulla u bë simbol i qëndresës ndaj çdo sfide që i kanosej familjes dhe kombit.
Kjo simbolikë vazhdon edhe sot përmes “Kullave të Lirisë”. Ndërsa kullat e dikurshme mbronin jetën fizike të njerëzve, këto të sotmet mbrojnë kujtesën historike dhe sakrificën për liri. Ato lidhin të kaluarën me të tashmen, duke dëshmuar se fryma e qëndresës nuk është shuar, por është shndërruar në një kujtesë të gjallë dhe në një mesazh të fuqishëm për brezat e rinj.
Në thelb, si kullat e dikurshme ashtu edhe “Kullat e Lirisë” përfaqësojnë të njëjtin ideal: qëndresën përballë vështirësive dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Ato janë dëshmi se historia nuk harrohet, por ndërtohet dhe përjetësohet përmes simboleve që bashkojnë një popull rreth vlerave të tij më të çmuara.
Kështu, kullat – dje si mbrojtje fizike e sot si monumente kujtese – mbeten një nga shenjat më të forta të qëndresës shqiptare ndër shekuj.
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Ta gëzojmë Kullën e UÇK-së!
Rroftë populli shqiptar i lirë dhe i bashkuar!
https://www.facebook.com/rame.vataj
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
