Prishtina kujton 11 Qershorin 1999, ditën e çlirimit të kryeqytetit

Më 11 qershor të vitit 1999, Prishtina përjetoi një nga momentet më të rëndësishme të historisë së saj moderne. Pas muajsh luftimesh, represioni dhe spastrimi etnik nga forcat serbe, kryeqyteti i Kosovës u çlirua, duke hapur një kapitull të ri të lirisë dhe shpresës për qytetarët e tij. Në këtë ditë historike, forcat ushtarake të Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës depërtuan në periferi të Prishtinës, duke vulosur fundin e kontrollit të regjimit serb mbi kryeqytetin. Hyrja e tyre u prit me emocione të mëdha nga banorët, të cilët për muaj të tërë kishin jetuar nën frikë, dhunë dhe pasiguri. Njësi të caktuara guerile të UÇK-së kishin arritur të depërtonin në qytet, ku kryenin operacione kundër forcave serbe që po përgatiteshin për tërheqje nga Kosova. Në të njëjtën kohë, këto forca ndërhynin për të penguar veprimet kriminale të strukturave serbe, të cilat edhe në ditët e fundit të pranisë së tyre vazhdonin të ushtronin dhunë ndaj popullsisë civile shqiptare të mbetur në Prishtinë. Çlirimi i kryeqytetit erdhi pas 78 ditëve të fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore të regjimit të Slobodan Millosheviqit, si dhe pas rezistencës së armatosur të UÇK-së në terren. Tërheqja e forcave serbe nga Kosova shënoi fundin e një periudhe tragjike, gjatë së cilës mijëra civilë u vranë, u zhdukën ose u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Sot, 27 vjet pas atyre ngjarjeve, 11 Qershori kujtohet si dita kur Prishtina u çlirua dhe dëshmorët, luftëtarët e UÇK-së dhe e gjithë populli i Kosovës u kurorëzua me liri.

Kontrolloni gjithashtu

Rritje e ndjeshme e pasagjerëve në aeroportin e Tiranës

Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë po vazhdon me rritjen e madhe të numrit të …