Në një atmosferë solemne dhe përkujtimore, është promovuar në Prishtinë libri “Amazonat e UÇK-së” i autores Fatvera Jonuzaj, një vepër që sjell në qendër të vëmendjes rolin e grave në luftën çlirimtare të Kosovës dhe kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në historinë kombëtare.
Ngjarja u hap me një moment heshtjeje në nderim të dëshmorëve të kombit, ndërsa pjesëmarrësit u ftuan të kujtojnë sakrificën sublime që mundësoi lirinë e vendit. Më pas u theksua se promovimi po zhvillohej në kuadër të shënimit të 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, duke i dhënë aktivitetit një dimension të thellë historik dhe emocional.
Në fjalën hyrëse u theksua se libri përfaqëson një kapitull të rëndësishëm të historisë së luftës, atë të grave shqiptare që, përmes guximit dhe përkushtimit, u bënë pjesë e rezistencës çlirimtare. Vepra, sipas prezantuesve, sjell dëshmi, rrëfime dhe kujtime që ndriçojnë përmasën njerëzore dhe historike të pjesëmarrjes së grave në luftë.
Recensenti i librit, Blerim Latifi, vlerësoi qasjen e autores, duke theksuar seriozitetin akademik dhe trajtimin e thellë të temës. Ai nënvizoi se libri kontribuon në dokumentimin e një segmenti të rëndësishëm të historisë së Kosovës, i cili shpesh ka mbetur në hije.
Në këtë ngjarje foli edhe humanistja dr. Flora Brovina, njëra nga protagonistet e veprës, e cila solli kujtime nga periudha e organizimit të grave shqiptare dhe përpjekjeve ndërkombëtare për të denoncuar krimet në Kosovë. Ajo theksoi se gratë kanë qenë pjesë aktive e luftës dhe se roli i tyre shpesh është nënvlerësuar në narrativat publike.
Redaktori i librit, Dren Brahimaj, në analizën e tij trajtoi dimensionin historik të luftës së UÇK-së dhe ngriti shqetësimin se, sipas tij, kujtesa për dëshmorët dhe luftën shpesh po i nënshtrohet politizimit, duke kërkuar një qasje më të drejtë dhe më shkencore ndaj historisë.
Ndërsa autorja e librit, Fatvera Jonuzaj, në fjalën e saj falënderoi të pranishmit dhe theksoi se motivi kryesor i veprës është rikthimi i dinjitetit dhe vendit të merituar të gruas shqiptare në historinë e luftës çlirimtare. Ajo u shpreh se përmes intervistave dhe dëshmive autentike, libri synon të dokumentojë një të vërtetë historike që, sipas saj, ka qenë e nënpërfaqësuar në diskursin publik.
Në promovim u përmendën një sërë figurash të grave që kanë dhënë kontribut në luftë dhe shoqëri, duke përfshirë ish-luftëtare, aktiviste, infermiere dhe intelektuale, të cilat përfaqësojnë dimensionin e gjerë të pjesëmarrjes së gruas në rezistencën shqiptare.
Në përfundim të aktivitetit u vlerësua se libri “Amazonat e UÇK-së” nuk është vetëm një botim letrar, por një dokument i kujtesës kolektive, që synon të ruajë dhe të përcjellë te brezat e ardhshëm historinë e grave që kontribuuan në lirinë e Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
