Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Misetic, ka shprehur shqetësime lidhur me atë që ai e cilëson si mungesë të balancës në vendimmarrjen e Dhomave të Specializuara në Hagë. Përmes një postimi në rrjetin social X, Misetic bëri të ditur se Paneli i Apelit ka miratuar edhe një apel tjetër të Prokurorisë në çështjen për mosrespektim të gjykatës ndaj Thaçit, duke theksuar se deri më tani të gjitha apelet e Prokurorisë kanë rezultuar të suksesshme. Sipas tij, në dy proceset gjyqësore që ende janë në zhvillim, Prokuroria ka fituar tri nga tri apele të paraqitura, ndërsa mbrojtja ka pësuar refuzimin e të gjitha 44 apeleve të saj. “Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara në gjykimin ndaj Hashim Thaçit për mosrespektim të gjykatës sapo miratoi edhe një apel tjetër të Prokurorisë. Bilanci aktual në dy çështjet e tij që janë ende në shqyrtim: Apele të Prokurorisë: 3 nga 3 të miratuara, ndërsa apelet e Mbrojtjes: 44 nga 44 të refuzuara”, ka shkruar Misetic. Ai ka vlerësuar se, pas përfundimit të mandatit të saj, Gjykata Speciale duhet t’i nënshtrohet një procesi të pavarur vlerësimi, duke shtuar se çështja e drejtësisë dhe paanshmërisë gjyqësore do të jetë ndër temat kryesore të debatit publik dhe juridik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
