Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër pas njoftimit se më 16 shtator do të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në gjykatën speciale në Hagë. Përmes një reagimi publik, OVL-UÇK e cilësoi këtë vendim si të padrejtë dhe të papranueshëm, duke argumentuar se procesi është shoqëruar me vonesa të shumta dhe se, sipas tyre, ka pasur motivime politike që nga fillimi. Veteranët theksuan se asnjë proces gjyqësor nuk mund ta ndryshojë historinë e luftës çlirimtare të Kosovës, ndërsa paralajmëruan se në javët në vijim do të organizojnë aktivitete dhe protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Shtyrjet e njëpasnjëshme, “të maskuara si përgjigje ndaj vëllimit dhe kompleksitetit, vërtetojnë atë që kemi theksuar që në fillim: ky proces është thjesht në shërbim të politikës së Serbisë dhe aleatëve të saj, me qëllim që ta ulë në bankën e të akuzuarve Luftën Çlirimtare, ndërkohë që amniston makinerinë gjenocidiale të shtetit fashist serb, duke e shpëtuar nga llogaridhënia”. Nga kjo organizatë u bë thirrje për mobilizim qytetar, duke theksuar se do të vazhdojnë të kundërshtojnë atë që e konsiderojnë trajtim të padrejtë ndaj ish-udhëheqësve të luftës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
