Profesoresha universitare Sala Berisha Shala ka marrë pjesë si paneliste në Konferencën Rajonale “Building Peace: Women as Leaders of Reconciliation in the Western Balkans”, e mbajtur më 29 dhe 30 qershor në Prishtinë, ku u diskutua për rolin e grave në ndërtimin e paqes dhe pajtimit në rajon. Përmes një reagimi publik, Berisha Shala tha se në konferencë ndau përvojën e saj si ish-deputete dhe ligjëruese e Edukimit Qytetar, duke theksuar rëndësinë e edukimit të të rinjve për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe përgjegjësinë qytetare. Ajo u shpreh se paqja, drejtësia dhe pajtimi ndërtohen jo vetëm përmes institucioneve, por edhe përmes dialogut, besimit dhe lidershipit të grave. Sipas Berisha Shalës, gratë kanë potencialin të ndërtojnë ura mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, duke kontribuar në tejkalimin e ndarjeve dhe forcimin e paqes së qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
