Dëshmitarët të pakënaqur me dënimin e Ekrem Bajroviqit: 12 vjet burg janë shumë pak për krimet e luftës

Dëshmitarët e Masakrës së Staradranit kanë shprehur pakënaqësi të thellë pas vendimit të gjykatës që dënoi Ekrem Bajroviqin me 12 vjet burgim për krime lufte. Dëshmitari kryesor, Naim Elshani, e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe qesharak, duke thënë se dënimi nuk pasqyron peshën e krimeve që, sipas tij, janë kryer ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë. “Elshani tha se nuk pajtohet me vendimin, duke theksuar se ende vuan pasojat fizike dhe psikologjike të torturave të përjetuara. Ai deklaroi se plagët e luftës vazhdojnë ta mundojnë edhe pas 27 vjetësh, ndërsa shtoi se nuk ka marrë mbrojtjen e nevojshme si dëshmitar, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme drejtuar institucioneve.” Dënimi prej 12 vitesh për një person që ai e identifikoi si autor të krimeve është i pamjaftueshëm, duke shtuar se nuk sheh drejtësi për viktimat dhe të mbijetuarit. Edhe dëshmitari tjetër, Ylber Lipa, u shpreh i zhgënjyer me epilogun e procesit gjyqësor, megjithëse pranoi se dënimi është shqiptuar në përputhje me legjislacionin që ishte në fuqi në kohën kur janë kryer veprat penale. Sipas aktakuzës, Ekrem Bajroviq, si pjesëtar i policisë serbe në Stacionin Policor të Gurrakocit, ka marrë pjesë në zbatimin e masave represive kundër popullatës civile shqiptare, përfshirë vrasje, arrestime, tortura dhe trajtim çnjerëzor. Prokuroria e ngarkon atë se më 8 maj 1999 ishte pjesë e forcave policore dhe ushtarake serbe që vranë 15 civilë shqiptarë në fshatin Staradran. Po ashtu, sipas aktakuzës, një ditë më parë, më 7 maj 1999, ai mori pjesë në arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët u ndaluan, u grabitën dhe u torturuan në Gurrakoc.

Kontrolloni gjithashtu

Hashim Thaçi mori vërejtje disiplinore në Qendrën e Paraburgimit në Hagë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është përfshirë në një incident në Qendrën e Paraburgimit në …