Zyra e Ombudspersonit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka publikuar një adresim të Avokatit të Popullit, Pietro Spera, lidhur me mbikëqyrjen e kushteve në Qendrën e Paraburgimit. Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në platformën “X”, Spera shpjegoi se një nga përgjegjësitë e tij kryesore është monitorimi i kushteve në të cilat mbahen të paraburgosurit, duke u siguruar që respektohen standardet ndërkombëtare për trajtimin e tyre. Ai bëri të ditur se gjatë inspektimeve u ofron të paraburgosurve mundësinë për takime private dhe konfidenciale, në mënyrë që ata të mund të shprehin shqetësimet e tyre pa praninë e personave të tjerë. “Në kuadër të inspektimeve iu ofroj takime të paraburgosurve, në mënyrë private dhe konfidenciale. Disa prej tyre më kanë takuar, disa jo”, ka deklaruar Spera. Avokati i Popullit njoftoi gjithashtu se gjatë javës së kaluar ka realizuar inspektimin e tij të 11-të në Qendrën e Paraburgimit, duke vlerësuar se kushtet e mbajtjes përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare. “Javën e fundit kam bërë inspektimin e 11-të dhe jam i kënaqur që kushtet e paraburgimit përmbushin standardet më të larta”, ka theksuar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
