Shpresa Bajraktari: Heroinave të Popullit Shqiptar, Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima

Me nderim dhe mirënjohje të thellë kujtojmë 82-vjetorin e ekzekutimit nga pushtuesit gjermanë të dy Heroinave të Popullit Shqiptar: Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima

Por kush ishin këto vajza shqiptare, të cilat dhanë jetën me aq përkushtim për idealet e larta kombëtare dhe shoqërore?

1. Bule Naipi

Lindi në vitin 1922, në Dunavat të Gjirokastrës. Menjëherë pas themelimit të PKSh-së, ajo u pranua anëtare e saj.

Ishte një veprimtare dhe luftëtare e guximshme, që nuk i trembej pushtuesit. Këtë e dëshmon më së miri veprimtaria e saj e gjerë.

Ajo mori pjesë në demonstrata antifashiste, punoi për përhapjen e idealeve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në popull, veçanërisht në radhët e të rejave dhe grave të Gjirokastrës, Libohovës dhe Konispolit.

Për një periudhë punoi në zonën e çliruar të Kurveleshit. Ishte njëra ndër organizatoret e grevës së bukës në Gjirokastër, në vitin 1943.

Në korrik të vitit 1944 u kap në befasi nga forcat naziste dhe bashkëpunëtorët e tyre. Pas torturave të rënda në burgun e Gjirokastrës, u var nga nazistët gjermanë më 17 korrik 1944, në lulen e rinisë, vetëm 22 vjeç.

2. Persefoni Kokëdhima

Lindi në vitin 1928, në Qeparo të Himarës.

Që në moshën rreth 15-vjeçare u aktivizua dhe mori pjesë në grupet e rinisë komuniste.

Më vonë, në fillim të vitit 1944, u rreshtua në Brigadën VI Sulmuese, ku mori pjesë me armë në dorë në luftimet gjatë mësymjes së përgjithshme armike, në operacionin e qershorit 1944.

Më pas u zbulua dhe u arrestua, ndërsa ishte e sëmurë rëndë në fshatin e saj të lindjes. U torturua në burgun e Gjirokastrës dhe u var nga nazistët gjermanë më 17 korrik 1944, në moshën më të bukur të rinisë, vetëm 16 vjeçe.

Për veprën e tyre heroike, Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, të cilat ia falën jetën me përkushtim atdheut, u nderuan nga PPSh-ja me titullin e lartë “Heroina të Popullit”.

Njëkohësisht, populli dhe artistët u kanë kushtuar këngë, vepra letrare, filma dhe krijime të tjera artistike, duke i përjetësuar në kujtesën e kombit shqiptar.

Ato përbëjnë vlera të çmuara të historisë sonë dhe do të mbeten burim frymëzimi për brezat, sepse liria nuk u dhurua, por u fitua me gjak dhe me luftën titanike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të udhëhequr nga PKSh-ja me në krye Enver Hoxhën.

Lavdi dhe mirënjohje për të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e atdheut tonë!

Kontrolloni gjithashtu

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” dënon me vendosmëri deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” dënon me vendosmëri deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” shpreh indinjatën e thellë dhe dënon me vendosmërinë më të madhe …