Enver Hoxhaj: Serbia avancon me SHBA-në, Kosova humb terren diplomatik nga qasja e Qeverisë Kurti

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka kritikuar ashpër politikën e jashtme të Qeverisë Kurti, pas nisjes së Dialogut Strategjik ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar se Kosova po mbetet gjithnjë e më shumë në margjinat e partneritetit me aleatin e saj kryesor. Sipas Hoxhajt, fakti që Serbia po thellon bashkëpunimin strategjik me Uashingtonin, ndërsa Kosova nuk ka arritur ta zhvillojë një dialog të tillë, dëshmon për dështimin e diplomacisë shtetërore dhe për një qasje që, sipas tij, po prodhon pasoja të rënda për interesat kombëtare. Ai ka deklaruar se politika konfrontuese e ekzekutivit ka dëmtuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, duke bërë që Kosova të humbasë pozicione të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, në një kohë kur Serbia po forcon raportet me partnerët perëndimorë. Hoxhaj ka paralajmëruar se këto zhvillime nuk do të kenë ndikim vetëm në diplomaci, por edhe në sigurinë e vendit, zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja, sektorin e energjisë dhe procesin e integrimit euroatlantik, duke theksuar se çdo tërheqje e Kosovës në skenën ndërkombëtare krijon avantazh për shtetet rivale. Në përfundim, ai ka bërë thirrje për një ndryshim të kursit në politikën e jashtme, duke kërkuar rikthimin e besimit me Shtetet e Bashkuara dhe rivendosjen e Dialogut Strategjik, të cilin e cilësoi si një prioritet të domosdoshëm për të ardhmen e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Michael Gahler kërkon shkarkimin e ministres serbe pas deklaratave për spastrimin etnik të shqiptarëve

Eurodeputeti gjerman nga radhët e Partisë Popullore Evropiane, Michael Gahler, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave …