Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci u ka dalë në ndihmë bashkatdhetarëve që po kalojnë përmes Pikës Kufitare Bajakovo, duke shpërndarë ujë dhe pako ushqimore për udhëtarët që po përballen me fluksin e shtuar të sezonit veror. Sipas njoftimit të Ambasadës, pavarësisht kolonave të automjeteve, koha aktuale e pritjes për kalimin e kufirit është rreth 10 deri në 15 minuta. Në funksion janë tetë korsi hyrëse, ndërsa autoritetet kroate po ndërmarrin masa për të mundësuar një qarkullim sa më të shpejtë dhe efikas. Ambasada bëri të ditur se krijimi i kolonave lidhet kryesisht me zbatimin e Sistemit të Hyrje/Daljes (EES), i cili ka sjellë procedura të reja të kontrollit kufitar dhe ka ndikuar në ngadalësimin e përkohshëm të qarkullimit. Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe Hakif Qenajt për donacionin e pakove ushqimore të shpërndara për bashkatdhetarët, kontribut që u vlerësua si një akt solidariteti dhe përkujdesjeje ndaj udhëtarëve. Ambasada e Kosovës në Kroaci theksoi se do të vazhdojë të monitorojë situatën në pikat kufitare dhe të ofrojë mbështetje për qytetarët e Kosovës sa herë që paraqitet nevoja, duke u uruar të gjithë mërgimtarëve një udhëtim të sigurt dhe të mbarë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
