Dr. Skёnder Demaliaj: REFORMIMI I ARSIMIT TË LARTË DHE ZHVILLIMI I EKONOMISË II

Dr. Skënder Demaliaj: Dokumenta të reja e të panjohura për figurën e Shaban Haxhisë

Tre detaje të rëndësishme

 Nga biseda me Akademik Hakif Bajramin

Detaji i parë: Përfaqësuesit e Misionit Britanik në Jugosllavi i shkruanin Foreign Office në Londër se Brigada e Shtatë e Kosovës po zhvillon luftime kundër pushtuesit gjerman në Frontin e Sremit dhe se shqiptarët e Kosovës po luftojnë me heroizëm dhe janë bashkuar me Alenacën e Madhe Antifashiste Botërore. Janë disa informacione. Këtë Akademiku e tha publikisht edhe në mbledhjen jubilare të 80-vjetorit të Brigadës së Shtatë të Kosovës, më 9 nëntor 2024, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.

Kështu hidhet poshtë teza e politikanëve dhe historianëve serbë se “shqiptarët ishin bashkëpunëtorë me fashistët dhe mbajtën një qendrim reaksionar gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Janë 56 mijë luftëtarë nga Kosova që luftuan për çlirimin e Kosovës e viseve të Jugosllavisë, deri në Sarajevë, Zagreb e Istër, nga të cilët 17 600 luftëtarë ishin në Brigadën e Shtatë të Kosovës, me komandant Shaban Haxhinë.

Detaji i dytë: Akademiku Hakif Bajrami tregon: “Unë kisha informacion se në Beograd ishte dosja e Shaban Haxhisë. Isha drejtor i  Arkivit të Kosovës dhe e kërkova kur shkova atje, por kërkesa ime u refuzua. Me anën e një mikut tim malazez që punonte atje e sigurova atë dosje, thjesht për ta parë, pa u lejuar ta fotokopjoj. Në krye të kësaj dosjeje ishte shkruar: Tepër sekret, ruhet përgjithmonë. Ishte një dosje me rreth 25 faqe, e firmosur nga Milovan Gjilasi, Sekretar i Partisë Komuniste Jugosllave në atë kohë dhe nga Gjako Pajkoviçi, Kryetar i Partisë Komuniste për Kosovë-Metohinë, pas vrasjes së Miladin Popoviçit. Në këtë dosje Shaban Haxhia cilësohej shovinist, irredentist, person me rrezikshmëri të madhe që kërkon shkatërrimin e Jugosllavisë së  Re dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Lidhur me këtë evidentoheshin të gjitha veprimet dhe qendrimet e tij që gjatë Luftës dhe në vitet e para pas çlirimit të Kosovë”.

Pra Shaban Haxhia qe një nacionalist komunist.

Detaji i tretë: Akademiku Hakif Bajrami tregon më tej:Unë shkova në vitin 1978 në Tiranë për të marrë disa dokumenta nga Arkivi i RPSSH-së. Kisha dëgjuar se ishte një material që Shaban Haxhia e kishte dorëzuar në KQPPSH dhe në Ministrinë e Jashtme për zhvillimet në Kosovë në viet 1941-1948. Ishim të interesuar ta kishim këtë dokument. Për këtë kërkova ndihmën e Ministrit të atëhershëm të Ministrisë të Punëve të Brendshme, të Kadri Hazbiut në një takim që pata me të në zyrën e tij në Tiranë. Ai kërkoi që unë të bëhesha bashkëpunëtor i Sigurimit Shqiptar, por e refuzova se ishte me rrezik të madh për mua.

Në bisedë e sipër i kërkova ndihmë për të na dhënë materialin e Shaban Haxhisë. Përgjigja e tij ishte e prerë: “Nuk e japim, se ka tendenca nacionaliste”. Nuk më ndihmoi dhe u ktheva duarbosh në Kosovë”.

Njësoj si serbët etiketohej i tillë se luftoi, firmosi dhe punoi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Është kjo arsyeja që nuk i mori meritat që i takonin.

Shënim: Ky material është në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Viti 1949. Dosja 202. Dorëzuar, më 11 shkurt 1949.

E kam botuar pjesërisht në librin e Shaban Haxhisë: “Masakra e Gjilanit”, Shtëpia Botuese “Marin Barleti”, Tiranë 1998, dhe të plotë në librin tim: “Shaban Haxhia (Demaliaj) – Komandant i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare i Malësisë së Gjakovës dhe i Brigadës së Shtatë të Kosovës”, Shtëpia Botuese “GEER”, Tiranë 2024, faqe 167-237.

Kontrolloni gjithashtu

Hajrush Kurtaj: NJË NGA NGJARJET E LAVDISHME TË UÇK-së NË BRIGADËN 162 “AGIM BAJRAMI” TË KAÇANIKUT

Shënimi i 27 vjetorit betejës së 25 majit 1999, betejës përfundimtare të çlirimit të Kaçanikut …