Komuna e Ferizajt, përkatësisht Inspektorati Komunal, po vazhdon angazhimin e saj për mbrojtjen e ambientit dhe parandalimin e ndotjes në territorin e komunës.
Pas raportimeve të pranuara nga qytetarët, Inspektorati i Mjedisit ka shqiptuar tri gjoba ndaj personave që kanë hedhur mbeturina në vende të paautorizuara.
Gjobat janë shqiptuar në kryqëzimin e rrugëve “12 Qershori” dhe “Enver Topalli”, në rrugën “Ismet Sopa”, si dhe në fshatin Pleshinë.
Inspektorati Komunal u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar për ruajtjen e pastërtisë dhe mbrojtjen e ambientit, duke shmangur hedhjen e mbeturinave jashtë hapësirave të destinuara për këtë qëllim. Çdo shkelje e tillë do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të sanksionohet me gjoba.