Deficiti tregtar i Kosovës arrin në mbi 578 milionë euro: Eksportet rriten, por mbulojnë vetëm 15% të importeve

Pavarësisht rritjes së eksporteve gjatë muajit qershor, bilanci tregtar i Kosovës vazhdon të përballet me thellim të mëtejmë të deficitit, si pasojë e varësisë së lartë të ekonomisë vendore nga produktet e importuara. Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), deficiti tregtar për muajin qershor arriti në 578.3 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 16.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë këtij muaji, Kosova eksportoi mallra në vlerë prej 102 milionë eurosh (rritje prej 26.9%), ndërsa importoi mallra në vlerë prej 680.3 milionë eurosh (rritje prej 17.6%). Megjithëse ritmi i rritjes së eksporteve ishte më i lartë, ato vazhdojnë të mbulojnë vetëm 15 për qind të vlerës totale të importeve. Sa i përket strukturës së mallrave, të dhënat tregojnë një pabarazi të theksuar mes asaj që Kosova prodhon për tregun e jashtëm dhe asaj që konsumon nga importi: Në përbërjën e eksporteve, pjesën kryesore e zënë metalet bazë dhe artikujt prej tyre (27.4%), të ndjekura nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (12.7%), si dhe plastika e goma (10.6%). Ndërkaq në përbërjen e importeve, vend dominant zënë produktet minerale (15.2%), makineritë dhe pajisjet elektrike (13.0%), mjetet e transportit (12.0%) dhe ushqimet e përgatitura (11.9%).

Kontrolloni gjithashtu

Burim Ramadani, në reagimin e tij ndaj Sveçlës për të shtënat në Ujman, ka thënë se ministri nuk ka verifikim të sigurisë

Burim Ramadani mbështet nismën e IKD-së për mbrojtjen e parasë publike gjatë fushatave zgjedhore

Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, i ka dalë në mbështetje nismës …