Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, dhe ish-drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës, Hysen Muzliukaj, duke refuzuar ankesat e mbrojtjes dhe duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Mujka dhe Muzliukaj akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me këmbimin e pronës së ish-“Bankosit” me pronë private, në kohën kur ushtronin funksione në Komunën e Mitrovicës. Ndërkaq, Mujka përballet edhe me një akuzë shtesë për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, pasi si kryeshef i “Ibër-Lepencit” dyshohet se nuk kishte deklaruar 60 mijë e 50 euro të sekuestruara në shtëpinë e tij. Në vendimin e saj, Gjykata e Apelit vlerësoi se pretendimet e mbrojtjes janë të pabazuara dhe se aktakuza përmban prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë. Gjykata theksoi se çështja e fajësisë ose pafajësisë do të vendoset vetëm pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të të gjitha provave. Vendimi i Apelit i hap rrugë vazhdimit të procesit gjyqësor në themel, ku do të shqyrtohen provat dhe pretendimet e palëve para marrjes së aktgjykimit përfundimtar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
