Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: QEVERIA ME VENDIMET PËR “INVESTITORËT STRATEGJIKË” PO E PËRJASHTON POPULLIN E VARFËR NGA TURIZMI VENDOR

Kjo ka filluar të ndihet gjatë dy-tre viteve të fundit. Qytetarët jo të pasur, si edhe ata nga zonat rurale e nga qytetet, nuk po munden më ta bëjnë pushimin në bregdet, sepse nuk janë në gjendje t’i përballojnë çmimet.

Dikur deti ishte për popullin; sot po bëhet për oligarkët dhe të huajt.

Nëse Qeveria vazhdon t’i falë vendet bregdetare për përfitime qeveritare dhe interesa të të tjerëve, 80% e popullit nuk do të mund ta përjetojë më pushimin në bregdetin e vet.

Unë jam me shqiptarët e varfër dhe e përkrah popullin tim që të mos mbetet pa det dhe pa tokën e vet.

Nëse duhet të vdesim për këtë Shqipëri, të ruajtur që nga kohët e lashta, të larë me gjakun e shumë brezave që e mbrojtën nga armiqtë, pushtuesit barbarë dhe perandoritë e ndryshme, atëherë le ta bëjmë.

Sot, pas 30 vitesh tranzicion, Shqipëria është nxjerrë në ankand për shitje e falje, në emër të “Investitorëve Strategjikë” dhe të një “Turizmi Elitar” të imagjinuar e të dëshiruar. Këtë e quajnë zhvillim, përparim, investim dhe mirëqenie.

Nëse një i huaj ndërton hotele, resorte e pallate dhe sjell kolonë të huaj, kjo nuk mund të quhet investim për Shqipërinë. Ai është investim për pronarin e tij dhe në interes të tij.

Pse nuk bëhen përpjekje për largimin e mushkonjave, mizave dhe mbeturinave? Pse nuk standardizohen çmimet e bujtinave? Kush ka mundësi le të shkojë në hotele me pesë ose gjashtë yje, ndërsa ata me të ardhura më të ulëta duhet të kenë mundësi të zgjedhin kategori më të përballueshme.

Duhet të ketë standardizim të çmimeve edhe në gastronomi, rritje të cilësisë së shërbimeve dhe edukim në sjelljen ndaj klientëve. Shpesh, kur rezervohen bujtinat, premtohet internet, kondicioner dhe televizor, por pas pagesës këto nuk funksionojnë. Këto mangësi duhet të eliminohen nëse duam më shumë turistë.

Ndoshta kjo shumicë turistësh nuk u pëlqen oligarkëve dhe qeveritarëve. Ndoshta ata dëshirojnë vetëm turistë elitarë.

Mjaft më me patronazhistët, të cilëve u është lënë në dorë zhvatja. Ata kanë bllokuar plazhet, e kanë ndarë detin dhe japin me qira shezllonet me çmime prej 7, 10 apo 15 euro në ditë vetëm për një vend pushimi.

Na thuhet se me ardhjen e të huajve po hapen vende pune për shqiptarët. Por shqiptarët po mbeten rrogëtarë dhe shërbëtorë të oligarkëve të huaj dhe atyre vendorë.

Një Shqipëri e falur, e shitur dhe e tjetërsuar nuk mund të konsiderohet më tokë shqiptare.

A do të përzihet demografia dhe trashëgimia gjenetike shqiptare, e ruajtur me shekuj?

Shqipëria do të jetë e të gjithë botës, por jo e shqiptarëve. Shqiptarët që do të mbeten në këtë vend do të jenë banorë e shërbëtorë të pronarëve jo shqiptarë. Zotër të këtij vendi do të bëhen oligarkët e huaj, me ndonjë shqipfolës pranë tyre.

Qeveritarët e injorojnë popullin dhe e fajësojnë sikur nuk e paska kuptuar se çfarë janë “Investitorët Strategjikë”, “Turizmi Elitar” dhe ligji për “Paketën e Maleve”. Por për herë të parë populli po e kupton të vërtetën dhe po i dallon mashtrimet.

Do të ishte shumë keq për popullin dhe Shqipërinë nëse këto synime realizohen.

Shqiptarët do të shpërndahen nëpër botë, e me kalimin e kohës do të asimilohen dhe do të humbasin identitetin e tyre.

Këto projekte dhe veprime, sipas bindjes sime, janë kundër interesave të popullit dhe të atdheut. Ato shkojnë në favor të atyre që synojnë ndryshimin e përbërjes demografike të Shqipërisë.

Nëse pushtetarët vazhdojnë të thonë se “Shqipëria nuk është vetëm e shqiptarëve”, ashtu siç thuhet se “shtëpia është e Zotit dhe e mikut”, atëherë kjo nënkupton se shqiptarit po i mohohet roli i zotit të shtëpisë dhe i zotit të atdheut.

Atëherë, çfarë mbetet e jona? Kush jemi ne?

Rroftë populli shqiptar i ribashkuar në Shqipërinë e Re, të të gjithë shqiptarëve!

22 korrik 2026

Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: NUK DUHET TË PRITET SI STRUÇI (Makushi) ME SQEP NË RËRË

Letër e hapur!  Çka na sjell 16 shtatori i këtij viti?! Si do të veprojnë …