Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka deklaruar se PDK-ja nuk do t’i nënshtrohet presionit për ta votuar kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për president të vendit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Musliu e cilësoi të padrejtë dhe të papranueshëm presionin që, sipas saj, po i bëhet PDK-së në emër të interesit të Kosovës. Ajo theksoi se vendi nuk ka nevojë për përqendrimin e të gjitha institucioneve në duart e një force të vetme politike, por për institucione të ndërtuara mbi Kushtetutën, sundimin e ligjit, kontrollin demokratik dhe balancën e pushteteve. Musliu shtoi se vota e PDK-së nuk është pronë e askujt dhe se do të përdoret vetëm atëherë kur, sipas vlerësimit të partisë, i shërben interesit të qytetarëve, demokracisë dhe funksionimit të shtetit. Në fund, ajo ritheksoi se Kosova ka nevojë për institucione të pavarura që kontrollojnë njëra-tjetrën dhe u shërbejnë qytetarëve, e jo interesave partiake.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
