Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje akterëve politikë që të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për krijimin e institucioneve të reja, duke theksuar se vendi nuk duhet të humbasë kohë në procesin e konsolidimit institucional. BE-ja ka refuzuar të komentojë bisedimet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për një koalicion të mundshëm, duke theksuar se negociatat politike dhe marrëveshjet eventuale janë përgjegjësi e vetë partive politike. “BE-ja nuk komenton bisedimet politike në zhvillim, negociatat apo marrëveshjet e mundshme për koalicione ndërmjet subjekteve politike. U takon akterëve politikë të Kosovës të gjejnë zgjidhje dhe të sigurojnë themelimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së. Bashkimi Evropian ritheksoi se mbetet i përkushtuar për ta mbështetur Kosovën në zhvillimin demokratik dhe në rrugën e saj drejt integrimit evropian, por nënvizoi se përparimi në këtë proces kërkon institucione funksionale. Sipas BE-së, krijimi i institucioneve të qëndrueshme pa vonesa është thelbësor për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve, për të zbatuar reformat e domosdoshme dhe për të avancuar agjendën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
