Kosova rrezikon të humbasë fonde të BE-së, reformat po ecin me ritëm të ngadaltë

 Kosova po përballet me rrezikun e humbjes së një pjese të fondeve të Bashkimit Evropian në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, për shkak të ritmit të ngadaltë të zbatimit të reformave dhe mosrespektimit të afateve të përcaktuara. Sipas të dhënave të publikuara nga “WeBalkans”, të cilave u referohet “Kosovapress”, Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina renditen ndër vendet me ecurinë më të dobët në realizimin e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Nga gjithsej 882.6 milionë euro të parapara për Kosovën përmes Planit të Rritjes, deri më tani vendi ka përfituar vetëm 61.8 milionë euro. Pas miratimit të Agjendës së Reformave nga Komisioni Evropian, Kosova ka ndërmarrë hapa në miratimin e legjislacionit të ri, zbatimin e ndryshimeve institucionale, digjitalizimin e administratës publike dhe avancimin e menaxhimit të financave publike. Megjithatë, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, progresi mbetet i ngadaltë. Në rast të vonesave, vendeve u jepet një afat shtesë për përmbushjen e detyrimeve. Megjithatë, nëse kushtet nuk plotësohen as brenda kësaj periudhe, fondet përkatëse mund të humben dhe të rialokohen për përfitues të tjerë. Sipas Komisionit Evropian, projektet e financuara përmes Planit të Rritjes duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2027 dhe nuk është paraparë asnjë shtyrje e këtij afati.

Kontrolloni gjithashtu

Kreu i VATRA-s i shkruan Trumpit: Specialja po kriminalizon luftën e UÇK-së

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, Dr. Elmi Berisha, i ka dërguar një letër …