AAK dorëzon kallëzim penal ndaj Qeverisë në detyrë për 17 vendime

Aleanca për Ardhmërinë e e Kosovës, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Qeverisë në detyrë dhe kryeministrit në detyrë, lidhur me 17 vendime të miratuara në mbledhjen e 12 gushtit, të cilat kanë të bëjnë me emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë në agjenci të ndryshme qeveritare, përfshirë edhe një rast për përzgjedhjen e një sekretari të përhershëm. Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se sipas vlerësimit të juristëve që kanë përgatitur kallëzimin, këto vendime bien ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe rregulloret në fuqi, duke pretenduar se një Qeveri në detyrë nuk ka legjitimitet të plotë për të ndërmarrë veprime të tilla dhe se me këto vendime janë tejkaluar kompetencat e lejuara gjatë kësaj periudhe. Tahiri ngriti kritika edhe për ushtrimin e njëkohshëm të mandatit të deputetit dhe funksionit ekzekutiv, duke argumentuar se një person që është betuar si deputet nuk mund të vazhdojë paralelisht të ushtrojë detyrën e kryeministrit apo ministrit në detyrë, pasi, sipas tij, një praktikë e tillë është në kundërshtim me ligjin dhe me një vendim të Gjykatës Supreme, të cilit i është referuar Aleanca në kallëzimin penal. “Kapja e shtetit duhet të ndalet. Abuzimi me funksionin publik duhet të ndalet. Adresa e vetme e jona, e Aleancës, e qytetarëve të Kosovës janë institucionet, respektivisht organet e ligjit, Prokuroria dhe Gjykata. Presim që këto institucione të përgjigjen ndaj kërkesës sonë”, përfundoi Tahiri.

Kontrolloni gjithashtu

PDK dorëzon kallëzim penal ndaj Kurtit dhe ministrave: Dyshohen për mbajtje të pozitave të dyfishta

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj kryeministrit në …