Ferat Shala, ka përkujtuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Ilmi Ramadani, në akademinë përkujtimore me rastin e njëvjetorit të vdekjes së tij, duke e cilësuar atë si një prej njerëzve që për dekada i shërbeu çështjes së lirisë së Kosovës. Shala ka rrëfyer takimin e parë me Ramadanin në tetor të vitit 1991 në Gjakovë, në një kohë kur, sipas tij, autoritetet jugosllave kishin nisur një aksion të gjerë arrestimesh. Ai ka treguar se Ramadani, edhe pse vetë ishte në rrezik, mendonte për sigurinë e të tjerëve dhe u kishte dhënë detyra për të njoftuar veprimtarë të tjerë. Ramadani i përkiste brezit themeltar të veprimtarëve të çështjes kombëtare dhe ishte burgosur politikisht tri herë, por çdo herë ishte kthyer nga burgu i vendosur për të vazhduar veprimtarinë e tij. Në periudhën e luftës, Shala ka thënë se banesa e Ramadanit në Ulpianë, së bashku me mjeken Teuta, ishte shndërruar në një spital të fshehtë të UÇK-së, ndërsa Ramadani kishte luajtur rol në lidhjen e intelektualëve, profesorëve dhe ish-të burgosurve politikë me bazat e UÇK-së në Drenicë. Ilmi Ramadani si “rekrutuesin e heshtur të UÇK-së”, duke përmendur edhe angazhimin e tij në Drejtorinë e Shërbimit Informativ Ushtarak, punën me pajisjet e radios në Berishë dhe rolin e tij në komunikimin ndërmjet Shtabit të Përgjithshëm dhe subjekteve politike në Prishtinë gjatë periudhës së Rambujesë. Shala ka theksuar se për Ramadanin angazhimi nuk kishte përfunduar me luftën në Kosovë, pasi ai kishte vazhduar veprimtarinë edhe në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe më pas në Maqedoni. “Ky është njeriu që po përkujtojmë: një njeri që nuk iu frikësua as burgut, as ilegalitetit, as luftës dhe, çka është më e vështira, as paqes”, ka deklaruar Shala. Ai ka vlerësuar edhe kontributin e Ramadanit në periudhën e pasluftës, duke përmendur angazhimin e tij në ndërtimin e Shërbimit Informativ të Kosovës dhe në krijimin e universitetit publik në Gjilan, ka përfunduar Shala.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
