Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka ngritur shqetësime lidhur me furnizimin e institucioneve shëndetësore publike të Kosovës me produkte të importuara nga Serbia, duke pretenduar se edhe glukoza e përdorur në spitalet publike është e prodhuar në këtë shtet. Ramadani ka publikuar në Facebook fotografi, për të cilat ka thënë se janë realizuar sot në njërën prej klinikave publike të Kosovës, ndërsa përmes tyre ka pretenduar se në institucionet shëndetësore përdoret glukozë e prodhuar në Vërshac të Serbisë. “Në spitalet e shtetit tonë, edhe glukoza vjen nga Serbia. Tregojini popullit PSE dhe QYSH?”, ka shkruar Ramadani. Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë çështje me deklaratat për patriotizëm dhe politikat ndaj Serbisë. “Patriotizmi nuk matet me fjalë e nuk është fushatë elektorale. Glukoza e prodhuar në Vrsac të Serbisë blihet nga Qeveria e Kosovës”, ka deklaruar ai. Deputeti i Aleancës ka përmendur edhe produkte e furnizime të tjera që, sipas tij, vazhdojnë të importohen nga Serbia, duke ngritur pyetje për politikat tregtare dhe furnizimin e institucioneve publike. “Infuzionet nga Serbia, gurë e zallë nga Serbia, vagonat në Serbi… Serbia nuk e ka pasur tregun e Kosovës veç kur ishte Taksa 100%”, ka shkruar Ramadani. Ai ka theksuar se fotografitë e publikuara janë realizuar të enjten në një prej klinikave publike të Kosovës, ndërsa nuk ka dhënë detaje të tjera për procedurën e furnizimit apo kompaninë përmes së cilës produkti është siguruar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
