Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është bashkuar nismës qytetare në mbështetje të drejtësisë dhe pafajësisë së krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë. Në kuadër të kësaj iniciative, Komuna e Prishtinës ka ndarë një hapësirë publike pranë objektit të Reporting House, ku qytetarët mund të shprehin mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së. Rama, së bashku me ekipin e tij, ka marrë pjesë në këtë aktivitet dhe ka vendosur nënshkrimin e tij në hapësirën e dedikuar për qytetarët. Nisma vjen në një periudhë kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon të jetë në vëmendjen e opinionit publik në Kosovë. Përmes kësaj fushate synohet të mobilizohet mbështetja qytetare dhe të shprehet solidariteti me të akuzuarit, ndërsa organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen nismës. Pjesëmarrja e Ramës në këtë aktivitet është paraqitur si një gjest simbolik në mbështetje të fushatës për drejtësi dhe pafajësi për krerët e UÇK-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
